10 Dhjetori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe kjo ditë si për çdo njeri, edhe për mua, është sa universale aq edhe individuale. Përgëzoj Institutin Firdeus dhe të gjithë stafin në UB që, në kuadër të kësaj dite, organizuan konferencën “Mendimet dhe argumentat ligjorë në deklaratën e të drejtave të njeriut të Kirit te Madh”. Kjo iniciativë i jep UB-së një status akoma më të qartë në fushën e shkencave humane, duke e dalluar jo vetëm në fushën e mësimdhënies por edhe në atë të investimit në komunitet dhe të mbrojtjes së vlerave tona më të qenësishme.
Çështja e të Drejtave të Njeriut ka të bëjë me dinjitetin e individit dhe të ardhmen e demokracisë. Rrallë ndodh që një çështje të nxjerrë kaq shume në pah thelbin e një kombi siç është çështja e respektit të të drejtave bazë të njeriut. Kjo është një sfidë, jo për mirëqenien apo sigurinë tonë, por për vlerat, qëllimet dhe domethënien e një kombi, sikurse të të gjithë njerëzimit. Edhe sikur të rrisim pa masë mirëqenien, apo të arrijmë çfarëdolloj suksesi dhe sërish të mbetemi të pabarabartë në këtë çështje, atëherë ne do të kemi dështuar si njerëz, si institucion, si komb, si njerëzim. Kjo, pasi lufta për të drejtat bazë të njeriut ka të bëjë me më shumë se çdo politikë që mund të përfshijmë në ligje; ajo ka të bëjë me kapacitetin tonë për të dashur dhe për t’u angazhuar ndaj njëri-tjetrit; ka të bëjë me zgjedhjen nëse ne si shoqëri do të vlerësojmë apo jo dashurinë dhe përkushtimin; ka të bëjë me humanizmin tonë të përbashkët dhe gadishmërinë për të “ecur me këpucët e dikujt tjetër”. Fjalët e gdhendura në nenet dhe frymën e kushtetutës së Shqipërisë, të vendeve të BE-së, SHBA-së dhe të të gjitha vendeve demokratike se "të gjithë kemi lindur të barabartë" apo që “çdo qytetar ka disa të drejta të patjetërsueshme” nuk janë thjesht fjalë me peshë apo teori boshe. Në emër të tyre popujt kanë luftuar dhe dhënë jetën për shekuj me rradhë. Këto fjalë janë frymëzim dhe pishtar për të gjithë njerëzit liridashës. Me këto fjalë i është premtuar çdo qytetari se së bashku do të ndajmë dinjitetin e njeriut dhe lirinë.
Dinjiteti nuk mund të gjendet në pronësinë e njeriut, as në pushtetin apo pozitën e tij. Ai qëndron në të drejtën e tij për t’u trajtuar si njeri me mundësi të barabarta me të tjerët, në atë që atij t’i respektohen të drejtat bazë. Të aplikosh çfarëdolloj testi tjetër, t`i mohosh individit shpresën e dinjitetin për shkak të bindjeve politike, përbërjes etnike, fetare, gjinisë, statusit, etjes për pushtet, etj., jo vetëm përbën padrejtësi, por do të thotë të çnderosh kujtimin e martirëve të çdo kombi. Sonte, diku në Shqipëri, diku në botë, dikush do të përpiqet me veshtirësi të bjerë në gjumë, duke u përpjekur dhe duke vuajtur nga një diskriminim për shkak të opinionit të tij/saj apo përkatësisë etnike, fetare, gjinore, statusit apo thjesht për shkak se dikush nuk ka respektuar dinjitetin e tij/saj. Dikush, diku në botë, sonte edhe mund të humbasë jetën për shkak të kësaj. Se çfarë ndodh më pas, mund të varet nga shumë faktorë, por në një analizë të fundit, do të varet nga ne: nga lloji i së ardhmes që ne ndërtojmë; nga lloji i shoqërisë që ne sjellim, nëse do të jetë një shoqëri ku shpresa është më e fortë se frika, ku dashuria është më e fuqishme se çdo fyerje apo lëndim, të një shoqërie ku askush nuk është qytetar i dorës së dytë, në të cilën askujt nuk i mohohen të drejtat më themelore, të një shoqërie në të cilën të gjithë jemi të lirë të jetojmë siç e shohim të arsyeshme kur gjykojmë për të drejtat bazë.
Por sonte unë jam optimist, sepse besoj në mirësinë e çdo njeriu si pjesë e qenësishme e asaj çka ne thelbësisht jemi, për shkak të progresit që ne kemi bërë si shoqëri. Ndonëse do të ketë pengesa përgjatë rrugës, e vërteta është se idealet tona të përbashkëta janë një forcë shumë më e madhe se çdo ndarje që mund të mbillet, se dashuria është më e fortë se urrejtja, se shpresa më e pushtetshme se frika. Këto ideale, të shprehura nga breza qytetarësh, janë ato që kanë rrëzuar diktaturat, që u kanë dhënë të drejta popujve, që nga Aristoteli; ‘Magna Carta’; ‘12 Artikujt’ e deri tek ‘Deklarata e Pavarësisë’ dhe ‘Ligji i të Drejtave’, të Amerikës; ‘Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit’, e Francës; ‘Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut’, e OKB-së, etj.
Ky është premtimi për të cilin jemi thirrur për të përmbushur nga një ditë në tjetrën, duke ndryshuar nga një mendje në tjetrën, nga një ligj në tjetrin. Unë besoj, në një analizë të fundit, ashtu siç ka thënë edhe Presidenti Wilson, që “Demokracia nuk është aq shumë një formë qeverisjeje, sesa një bashkësi principesh”, ashtu siç edhe çështja e të drejtave të njeriut ka të bëjë me më shumë se sa një të drejtë ligjore, pasi t’i sigurosh këto të drejta kërkohet edhe vullnet i mirë, mirëkuptim dhe vizion.
Në fund, po ju le me atë çfarë Thomas Jefferson, autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe President i 3të i SHBA-së ka thënë: “Gjithçka është e ndryshueshme me përjashtim të të drejtave të natyrshme dhe të patjetërsueshme të njeriut. Ne i konsiderojme të vetëkuptueshme këto të vërteta, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të Drejta të patjetërsueshme, midis te cilave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë".
(“Nothing is unchangeable but the inherent and unalienable rights of man. We hold these truths to be self-evident, that all men are created equal, that they are endowed by their Creator with certain unalienable Rights, that among these are Life, Liberty and the pursuit of Happiness”.)
Dritan Zela, Ph.D. (SHBA)
Professor of Mathematics & U.S. Fulbright Scholar (SHBA)
Pro Rektor per Ceshtjet Akademike
Tiranë, 10 Dhjetor, 2010
