Studentët e vitit të parë të programit të studimit “Psikologji” zhvilluan një aktivitet praktik dhe reflektues përmes teknikës “Shëtitje anonime me një të verbër”, një ushtrim që synon të forcojë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e besimit dhe empatisë në marrëdhëniet njerëzore.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët përjetuan simbolikisht situatën e të mos parit dhe u udhëhoqën nga një person tjetër. Përmes kësaj përvoje, ata reflektuan mbi ndjesinë e pasigurisë, nevojën për mbështetje dhe rëndësinë e ndërtimit të besimit ndaj personit që të udhëheq. Çdo hap i ndërmarrë në këtë proces kërkonte besim, komunikim dhe ndjeshmëri ndaj tjetrit.
Aktiviteti synoi t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më thellë një nga dimensionet më të rëndësishme të profesionit të psikologut: marrëdhënien e besimit që ndërtohet me klientin. Në praktikën psikologjike, besimi është themeli mbi të cilin ndërtohet dialogu terapeutik dhe procesi i mbështetjes psikologjike.
Të jesh psikolog nuk nënkupton vetëm zotërimin e njohurive teorike, por edhe ndërgjegjësimin për përgjegjësinë profesionale dhe etike që mbart marrëdhënia terapeutike. Kur një individ zgjedh të ndajë përvojën e tij subjektive, emocionet dhe ndjeshmërinë e brendshme, psikologu ka përgjegjësinë të krijojë një hapësirë të sigurt psikologjike, të bazuar në besim, empati dhe profesionalizëm.
Përmes aktiviteteve të tilla praktike, studentët e psikologjisë kanë mundësinë të zhvillojnë jo vetëm njohuritë akademike, por edhe aftësitë ndërpersonale dhe ndjeshmërinë profesionale që janë thelbësore për ushtrimin e këtij profesioni.
