Nga data 21 maj deri më 23 maj 2013 në Universitetin Barleti u zhvillua cikli i leksioneve Mbi të Djathtën Fetare në SHBA dhe ndikimin e saj politik, nga z. Ernest Nasto, studiues i politikave ekonomike dhe analist financash në SHBA. financiar.
Sipas axhendës së përgatitur, në ditën e parë, lektori Nasto trajtoi historinë që nga krijimi të së Djathtës Fetare, këtij grupimi karakteristik dhe shumë të rëndësishëm në peizazhin politik amerikan, në gjirin e lëvizjes konservatore. është një dukuri që ekziston vetëm në SHBA dhe e lidhur ngushtë me një popullsi besimtare, siç është ajo amerikane. E Djathta Fetare (apo siç quhet ndryshe, e Djathta Kristiane) përbëhet nga disa grupe që identifikohen si të besimit kristian evangjelik, të cilët bazuar në interpretimin që u bëjnë ata vetë disa parimeve kristiane, kanë shpallur hapur qëllimin për të vendosur njerëzit e tyre në të gjitha sferat e jetës politike amerikane dhe për të kthyer, sipas shprehjes së tyre “Amerikën në rrugën e Zotit”. Pra është një lëvizje e bazuar në interpretime të caktuara të Biblës, dhe që shpall hapur qëllime politike. Ajo lindi edhe si reagim ndaj progresit në të drejtat civile të popullsisë me ngjyrë (ndaj dhe përhapjen dhe mbështetjen më të madhe e gëzon në shtetet e Jugut), por edhe si reagim ndaj shthurjes morale, të mishëruar, sipas tyre, në revolucionin seksual të viteve ’60 dhe legalizimin e abortit më 1973.
Meqë një nga besimet bazë të këtij grupimi është pretendimi se SHBA është krijuar si një komb kristian, një vend i veçantë iu kushtua faktit se Kushtetuta amerikane, e miratuar në Filadelfia në vitin 1787 nuk përmend Perëndinë, Jezu Krishtin, Moisiun, Dhiatën e Vjetër apo të Re. Kjo lënie në harresë e këtyre koncepteve themelore të besimit kristian dhe laicizmi i hapur i dokumentit themeltar të Federatës së re u bënë objekt i debateve të zjarrta të zhvilluara gjatë miratimit të Kushtetutës nga ana e shteteve anëtare. Nuk është e vërtetë, që Kushtetuta e SHBA është një kushtetutë kristiane, siç e interpreton e Djathta Fetare. Ajo është një produkt i shkëlqyer dhe shumë i suksesshëm (vërtetuar kjo më së miri nga rezistenca e saj ndaj kohës) i filozofisë së Iluminizmit dhe i pasqyrimit të asaj filozofie në fushën e besimit fetar, që është Deizmi.
Në ditën e dytë u trajtuan qëndrimet e këtij grupimi ndaj problematikave kryesore të politikës dhe kulturës amerikane. Kundërshtimi absolut ndaj abortit dhe të drejtave të komunitetit LGBT janë si të thuash “kuajt e betejës” të së Djathtës Kristiane. Çdo lloj favorizimi, sado i vogël, i abortit apo martesave gay, konsiderohen prej tyre si mëkatet më të mëdha dhe më të patolerueshme për besimtarët kristianë, gjithmonë mbi bazën e interpretimit të tyre të veçantë të Biblës. Ndërsa në fushën e politikave të mbrojtjes së mjedisit pozicioni i tyre është kundër çdo lloj ndërhyrjeje të shtetit, duke e quajtur dukurinë e ngrohjes globale si të pavërtetë dhe si një dukuri thjesht ciklike e natyrore, që nuk meriton ndonjë vëmendje të posaçme.
Një ndikim të madh ka e Djathta Fetare edhe në përcaktimin e politikës së jashtme amerikane, ku shquhen sidomos Zionistët Kristianë, të bashkuar në organizatën Kristianët e Bashkuar për Izraelin (CUFI). Zionistët Kristianë janë protestantë evangjelikë të zakonshëm, por që kanë si moto disa interpretime shumë kontroversiale të një numri pasazhesh të paqarta të Librit të Zbulesës, dhe të disa profetëve si Danieli apo Ezekieli. Efektet e aleancës së tyre me neokonservatorët kanë qenë të ndjeshme, sidomos kur Shtëpia e Bardhë ndodhej në duart e Republikanëve. Rasti i Presidentit George W. Bush është emblematik pasi ndikimi i tyre ishte përcaktues në përkrahjen dhe nxitjen e hapur të luftës ndaj Irakut. Në terma praktike kjo do të thotë që një pjesë jo e vogël e elektoratit të superfuqisë botërore, konsideratat për politikën e jashtme nuk i ka të bazuara në realitet. S'ka pasur asnjë aksion apo ndërhyrje ushtarake të Amerikës, duke filluar qysh nga Korea, Vietnami, Afganistani e deri tek Iraku tash së fundi, për të cilën e Djathta Kristiane të mos ketë dhënë bekimin e saj të plotë për administratën në fuqi, aq më tepër kur ka qenë fjala për administrata Republikane. Kjo duket shumë kontradiktore për grupe që pretendojnë të kenë për qëllim primar shpalljen dhe zbatimin e Ungjillit të Jezu Krishtit. Asnjëherë shqetësimet dhe problemet që ata ngrenë nuk bien ndesh me interesat e kompleksit ushtarako-industrial.
Ditën e e fundit më 23 maj leksioni u përqendrua në pikëpamjet dhe qëndrimet e të Djathtës Kristiane në planin e teorisë dhe politikave ekonomike, ku ajo i përmbahet idesë së një tregu të lirë pa asnjë lloj ndërhyrje nga ana e shtetit. Çdo ndërhyrje shihet si një afrim drejt socializmit dhe komunizmit, dhe pothuajse në të gjitha materialet e tyre argumenti ndërtohet mbi rrezikun (e supozuar) që shteti, kur ndërhyn si rregullator, priret të transformojë institucionet e tregut të lirë në një ekonomi të planifikuar të tipit sovjetik. Kjo lidhet edhe me idenë e rrënjosur fort në audiencën e të Djathtës Fetare, se socializmi dhe komunizmi mund të vendosen edhe në mënyrë evolutive, hap pas hapi, ndonëse kjo është një praktikë krejt e panjohur në historinë botërore. Në terma praktikë, radhitja e tyre në fushatat elektorale është në favor të programit ekonomik të Partisë Republikane, edhe kur ai nuk është aspak në interes të shtresave të ulëta dhe të mesme të popullsisë amerikane, pra edhe të besimtarëve që ndjekin të Djathtën Fetare. Në zgjedhjet e fundit presidenciale vitin e kaluar, besimtarët e bardhë evangjelikë, pra grupi që identifikohet më shumë me të Djathtën Kristiane, përbënin 27 % të elektoratit dhe prej tyre plot 79 % votuan për kandidatin Republikan, Mitt Romney, ndërsa vetëm 20% për Presidentin Obama. Kuptimplotë është këtu edhe fakti që në dy shtetet Jugore të Mississipit dhe Alabamës, të cilët janë ndër më të varfërit e SHBA, pesha e kësaj kategorie besimtarësh përbënte respektivisht 50% dhe 47% të elektoratit, nga të cilët respektivisht 95% dhe 90% votuan për Romneyn.
Suksesi më i madh i këtij grupimi në SHBA ka qenë nxjerrja në plan të parë e çështjeve kulturore dhe etiko-morale si aborti apo martesat gay. Për pasojë çështjet ekonomike, për të cilat dihet që shtresat e ulëta kanë qenë tradicionalisht më liberale, kanë dalë në plan të dytë dhe u nënrenditen ekzigjencave të “Luftës Kulturore” siç e quajnë ata. Ky grupim është vetëshpallur si një lloj gardiani i moralitetit kristian të Amerikës, ashtu siç e kuptojnë dhe e përkufizojnë ata vetë. Për ta është shumë karakteristike vënia e theksit te mëkati personal dhe injorimi i plotë i mëkatit në shkallë shoqërore. Ata e kanë rikonfiguruar në mënyrë të pakthyeshme jo vetëm konservatorizmin, por edhe krejt peizazhin politik amerikan.
Zhvillimi i leksioneve gjatë tre ditëve u shoqërua me pyetje dhe diskutime nga audienca, duke dëshmuar interesin e madh për çështjet që u trajtuan gjatë këtij aktiviteti akademik.
