Në datë 29.01.2013 universiteti “Barleti” në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA) pati nderin të kishte të ftuar, Pastorin David Hosaflook përkthyes ne gjuhën angleze të veprës monumentale “Rrethimi i Shkodrës” e humanistit të madh Barleti. David Hosaflook është nënshtetas amerikan dhe pastor ungjillor në Shqipëri. Ai foli për rëndësinë e këtij libri dhe u shpreh se: “ky libër është i rëndësishëm për të kuptuar të kaluarën sidomos marrëdhëniet midis Venedikut dhe Stambollit, për historinë e konfliktit fetar, ndër të tjera është një vepër letrare dhe estetike”. Z. David në prezantimin e tij me një gjuhë të kulluar shqipe na tregoi se si një nga ditët e para të qëndrimit të tij në Shqipëri, teksa mësonte gjuhën shqipe, kish hasur në një nga trotuaret e Shkodrës përkthimin e librit “Rrethimi i Shkodrës” nga Henrik Lacej.
Fillimisht e nisi përkthimin e kësaj vepre në anglisht si një detyrë shtëpie që bën çdo kush kur mëson një gjuhë të huaj, por më pas me një përkushtim të vërtetë e vazhdoi këtë punë për afro 18 vite. Po ashtu në përkthimin në anglisht të “Rrethimit të Shkodrës” kishin ndihmuar një sërë arkeologësh, akademikësh, historianësh, redaktorësh si dhe studiuesish shqiptarë dhe të huaj.
Kjo vepër paraqet një rëndësi të madhe për vetë faktin se paraqet ngjarjet të cilat i ndryshuan fatin të gjithë Ballkanit për 600 vite rresht. Punimi i z. Hosaflook është një nder që i bëhet në këtë 100 vjetor vetë popullit shqiptar dhe historisë botërore, pasi sjell përkrah gjuhëve italiane, franceze dhe polake për të gjithë osmanologët dhe albanologët në anglisht një gur të munguar në mozaikun e historisë botërore - betejën e fundit të Sulltan Mehmetit të II, ai që arriti të pushtojë zemrën e botës, Kostandinopojën, por jo Shkodrën.
Varianti i sjellë në anglisht është mirëpritur me shumë entuziazëm jo vetëm nga historianët më në zë si David Abdulafia, Lucia Nadin, Robert Elsie etj. por edhe nga vetë ne shqiptarët, pasi më në fund ju dhanë krahë një pjese të rëndësishme por të harruar të historisë sonë.
Interesant është fakti se varianti i ri në shqip dhe në anglisht i “Rrethimit të Shkodrës” sjell jo vetëm dëshmitë e Barletit i cili ka qenë dhe dëshmitar okular asaj kohe, por edhe dëshmitë dhe kronikat e historianëve osmanë si A. Pashazade, Tursun, Kivami, Idrisin-i Bidlisi, K. Pashazade.
Prezantimi i kësaj vepre monumentale në auditorët e universitetit “Barleti” jo vetëm përbën nder për institucionin tonë por rriti dhe kureshtjen e studentëve të cilët me shumë kërshëri dhe interes bashkëbiseduan dhe kërkuan informacione nga më të ndryshmet nga z. Hosaflook.
Në këtë event ishte i pranishëm dhe Z. Arben Malaj i cili si mik i vjeter i Davidit foli rreth punes se palodhur qe ka bere davidi ne perkthimin e librit " Rrethimi i Shkodrës"
