Universiteti Barleti mori pjesë në takimin kick-off të projektit Research Universities (RES-UNI), i cili koordinohet nga Universiteti Fırat dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+ për Ndërtimin e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë.
Takimi u zhvillua me sukses në Elazığ, Turqi, gjatë datave 14–16 prill 2025, me pjesëmarrjen e institucioneve partnere nga Ballkani Perëndimor dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Universiteti Barleti, si një nga partnerët shqiptarë në këtë projekt, u përfaqësua në takim nga anëtarë të stafit akademik, të cilët kontribuan aktivisht në diskutimet dhe sesionet e punës.
Gjatë takimit u trajtuan në mënyrë të detajuar qëllimet kryesore të projektit, paketat e punës, si dhe planifikimi i aktiviteteve për fazat e ardhshme të zbatimit.
Ekipi organizator nga Universiteti Fırat prezantoi një përmbledhje të projektit RES-UNI, ndërsa pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitonin Zyrën e Transformimit Digjital dhe Qendrën e Mësimit në Distancë, duke u njohur nga afër me praktikat dhe përvojat e avancuara në këto fusha.
Pjesëmarrja e Universitetit Barleti në këtë takim forcoi më tej bashkëpunimin ndërkombëtar dhe angazhimin institucional për të mbështetur transformimin digjital dhe për të promovuar cilësinë akademike në arsimin e lartë.
Ky bashkëpunim shumëpalësh përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të kapaciteteve kërkimore dhe inovacionit në universitetet e rajonit.
