Në 17 Janar 2013, drejtore ekzekutive e Shoqatës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, Znj.Mirela Arqimandriti, vizitoi kampusin 1 të Universitetit Barleti, për një leksion të hapur me studentët për "Fuqizimin e gruas sipërmarrëse".
Sipas Znj.Arqimandriti, femrat sot po formojnë një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të sektorit të SME-ve, i cili është burimi kryesor i vendeve të reja të punës. Znj.Arqimandriti shpjegoi që gratë në biznes janë një fenomen i kohëve të fundit në Shqipëri. Në Shqipëri, ende gratë vazhdojnë të përballen me pengesa të aktivitetit sipërmarrës në krahasim me meshkujt. Znj.Arqimandriti vijoi diskutimin e saj, duke sqaruar që gratë sipërmarrëse janë angazhuar në biznes për shkak të tërheqjes së disa faktorëve. Këto faktorë kanë inkurajuar gratë të kenë një profesion të pavarur dhe të qëndrojnë me këmbët e tyre në një kuptim të pavarur drejt vendim-marrjes në jetën e tyre. Nën ndikimin e këtyre faktorëve gratë sipërmarrëse zgjedhin një profesion si një sfidë dhe si një thirrje për të bërë diçka të re.
Një pyetje nga studenti e vitit II, Menaxhim Biznesi, Jurgen Adhami, nëse ishte e lehtë hapja e një biznesi në Shqipëri, ajo ju përgjigj: "Të hapesh biznes në Shqipëri duhet vetëm një dite, por institucionet që duhet të ndjekësh çdo muaj për këtë biznes janë jashtëzakonisht shumë”.
Znj.Arqimandriti sqaroi se sfidat me të cilat përballen gratë vijnë nga disa faktorë si:frika nga sasia fillestare e parave për të nisur një biznes;mungesa e njohurive dhe aftësisë e të bërit biznes;rolet gjinore në familjen tradicionale ku sipërmarrja është një fushë e dominuar nga meshkujt;mungesa e programeve për të nxitur vetëpunësimin.
Në fund të takimit Znj.Arqimandriti prezantoi tek barletasit disa linke ku të rinjtë mund të orientohen dhe të gjejnë një informacion më të detajuar në lidhje me gruan sipërmarrëse në Shqipëri. Diskutimi u mbyll me këshillën që kushdo duhet të ketë iniciativën për të hapur një biznes,duhet të gjendet forca për të nisur një iniciativë individuale pavarësisht rreziqeve me të cilat do të ndeshen gjatë rrugës.
Barletasit ishin të përqendruar gjatë diskutimit, duke treguar që tema e përzgjedhur përbënte interes për ta, dhe këtë e treguan jo vetëm nëpërmjet pyetjeve por edhe dëshirës për të kontaktuar me Znj.Arqimandriti dhe për të marrë prezantimin e zhvilluar në auditor.
