Barleti Volley - Minatori (2-3)
(21-25; 25-19; 25-19; 21-25; 8-15)
Minatori ka fituar mbrëmë ndeshjen e hapjes së javës së 6-të të kampionatit kombëtar për femra në volejboll, duke mposhtur në "Asllan Rusi" 3-2 rivalen Barleti Volley në përballjen e dytë sezonale (e para u luajt në gjysmëfinalen e Kupës së Federatës). Dy prej skuadrave më të mira dhuruan një lojë të bukur, me rivalitet, spektakël dhe emocione, por në fund ajo që buzëqeshi ishte skuadra e trajnerit Gorenxa, e cila përveç fitores siguroi edhe vendin e parë në renditje. Gjithçka u vendos në setin final, aty ku ekipi mirditore fitoi me lehtësi 15 - 8, duke marrë 2 pikë, ndërsa Barleti Volley 1 dhe renditet e dyta. Ndeshja nisi mirë për mikeshat nga Rrësheni, që kanë epërsi në setin e parë, të cilin e fitojnë 21-25. Por Barleti Volley ndërron kurs në vijim, duke qenë më e saktë në fushë, blloku funksionon më mirë dhe arrin të fitojë 25 - 19 setin e dytë. Po me këto shifra, kryeqytetaset fitojnë edhe setin e tretë, duke përmbysur gjithçka në favorin e tyre. Por sNULLka mbaruar këtu, pasi loja bëhet edhe më interesante në setin e katërt, ku pas shumë barazimeve është Minatori që është më konkret në lojën e tij. Shkurti e Nezaj janë të sakta dhe mirditoret fitojnë sërish 21-25, duke barazuar 2-2 shifrat e seteve. Seti final është tërësisht i Minatorit, që shkëputet që në fillim, luan më mirë në mbrojtje dhe fiton 8-15 dhe krejt ndeshjen 2-3. Kjo është humbja e parë e Barleti Volley dhe fitorja e 5-të në kampionat për Minatorin, skuadra e vetme që nuk ka pësuar asnjë disfatë. Takimi mes dy ekipeve u afrua ditën e hënë me kërkesë të mirditoreve, që në mesjavë do të jenë në Budva për një turne miqësor, ndërkohë që ndeshjet e tjera të javës së 6-të të kampionatit të rrjetës për femra do të luhen sipas kalendarit, ditën e mërkurë.
