Universiteti Barleti bëhet partner i një rrjeti universitetesh dhe organizatash nga shtete të "Central European Initiative", gjë që e përfshin në nismat, aplikimet dhe projektet e përbashkëta akademike, studimore e kërkimore.
Që prej datës 20 prill 2011, Universiteti Barleti është inkuadruar në rrjetin e shteteve të "Central European Initiative", duke e futur në radhët e aktorëve më të mirë akademikë të rajonit.
Universiteti Barleti mori pjesë në këtë takim "Task Force" të zhvilluar në Trieste, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të CEI, Ambasadorit Gerhard Pfanzelter. Takimi synonte krijimin e një marrëdhënieje të ngushtë midis universiteteve nga vendet anëtare të kësaj iniciative, për të promovuar dhe nxitur partneritete për nisma dhe aplikime të përbashkëta të projekteve akademike, studimore e kërkimore. Dr. Reis Mulita, përfaqësuesi i Universitetit Barleti, u prezantua me punimin: "Strengthening CEI partnerships, towards an EU sustainable enlargement and knowledge-based society. The role of CEI - University Network and EU programmes in Western Balkans", duke e paraqitur UB si një institucion lider jo vetëm në arsimin e lartë, por edhe në tregun akademik e shkencor në Shqipëri.
Kjo e fundit pasqyrohet dukshëm në veprimtarinë e Universitetit Barleti si në programet përkatëse, edhe në ato që pritet të hapen në perspektivë, për diplomat Bachelor, Master dhe PhD. Veçanti e këtij institucioni arsimor është edhe partneritetet i tij me universitete prestigjioze perëndimore, me institute dhe qendra të kërkimit shkencor e akademik, me "Barleti Entrepreneurship Initiative", "Barleti Press", Klubet Studentore, etj. Nëpërmjet prezantimit dinjitoz të Universitetit, Dr. Mulita konsolidoi vlerësimin ndaj këtij organizmi dhe përforcoi edhe më tej mesazhin se Universiteti Barleti është një institucion që gëzon të gjitha burimet e kapacitetet humane, organizative dhe të infrastrukturës fizike, për të mbështetur apo për të filluar partneritete serioze dhe të qëndrueshme, si ato që organizohen me nismën e Central European Initiative, apo të të tjerë aktorëve e hapësirave të botës akademike e shkencore, si programet Erasmus Mundus, TEMPUS, Lifelong Learning, etj.etj.
