Gazetarja Rudina Xhunga vizitoi të mërkurën e 20 prillit Universitetin Barleti, e ftuar nga Klubi i Mediave të Reja dhe Teknologjisë, në kuadër të ciklit "Histori Suksesi".
Znj. Xhunga ndau me studentët e universitetit disa nga hollësitë më interesante të karrierës së saj në gazetari. Ashtu si është bërë traditë, të ftuarit e ciklit "Histori Suksesi" ndajnë me studentët historinë e tyre në profesion.
Për Rudinën këto fillime ishin në shtypin e shkruar, si pjesë e stafit të gazetës "Koha Jonë". "Doja të komunikoja me njerëzit", - tregoi Rudina, - "doja të kisha vëmendjen e tyre, të ndaja me ta gjërat që mendoja se ishin të rëndësishme. Fillimet ishin të motivuara edhe nga dëshira ime për vëmendje, por vetëm në fillim ama. Më tutje e kuptova rëndësinë dhe përgjegjësinë e kësaj pune."
Rudina tregoi se disa nga momentet më të vështira në jetën e saj si gazetare ishin pikërisht në vitin 1997, kur si reportere terreni e gjeti veten në një situatë të rrezikshme në Cërrik, mes një grupi njerëzish të armatosur që dëshironin t’i tregonin gazetares së re videot e masakrave që kishin bërë. "As mund të flisja, as mund të veproja, e gjeta veten të detyruar të shoh filmimet, që ata vetë kishin xhiruar ndërsa vrisnin njerëz. Ishte një ekpseriencë tepër e vështirë", - përfundon Rudina këtë rrëfim të trishtë.
Por në jetën e saj profesionale Rudina ka patur edhe shumë momente të mrekullueshme. Ajo tregoi se sa mirënjohëse është për punën që kryen për emisionin "Shqip" në Top Channel dhe për të gjitha vendet e botës që ka vizituar për shkak të kësaj detyre. Saimir Pirgu është një nga personazhet që e ka bërë të ndihet më mirë në intervistat për "Shqip". "Ky tenor i ri i La Scala-s do të bëjë që të flitet mirë për Shqipërinë. Historia e tij dhe personi që ai është sot, më kanë lënë përshtypje të vyera", - thotë Znj. Xhunga.
Më tej, ajo iu përgjigj pyetjeve dhe kurioziteteve të studentëve në lidhje me letërsinë, poltikën dhe mënyrën e saj të të bërit gazetari larg Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Rudina tregoi për kënaqësinë që i japin temat, të cilat nuk rrotullohen pa fund qark politikës së vogël të Tiranës, por që sjellin në studion e "Shqip" atë Shqipërinë atje jashtë, që debatet televizive shpesh tentojnë qëllimisht ta harrojnë.
Në fund të bisedës, Znj. Xhunga pozoi për foto dhe dha disa autografe për një grup studentësh. Edhe ky takim i ciklit "Histori Suksesi" u ndoq nga një numër i lartë studentësh dhe prej disa nga pedagogët e Universitetit Barleti.
