Në datën 4 mars, në amjentet e Universitetit "Barleti", u zhvillua ceremonia e prezantimit të Rektorit të ri, Prof.Dr. Marenglen Spiro, i cili u emërua me vendim unanim, nga Bordi i Universitetit, në mbledhjen e datës 28 shkurt 2011.
Në prezantimin e Rektorit, ishte i pranishëm i gjithë personeli akademik dhe administrativ i UB-së, si edhe Kryetari i Bordit, Prof.Dr. Rexhep Meidani dhe Prof.Dr Nikolla Dhamo, Rektor i Universitetit nga viti 2005 deri ne shkurt të 2011-ës.
Fjalën hyrëse, e mbajti Kryetari i Bordit, i cili pasi prezantoi vendimin e Bordit Drejtues të UB-së, shprehu vlerësimet më të larta si për figurën e Rektorit deri tani në detyrë, Prof.Dr. Dhamo, ashtu edhe për Rektorin e sapoemëruar Prof.Dr. Marenglen Spiro.
Më pas, fjalën e mori Prof. N.Dhamo. Ai njohu kolegët, në mënyrë të përmbledhur, me karrierën e deritanishme të Prof. Marenglen Spiros, duke shprehur njëkohësisht edhe konsideratat më të larta për figurën e tij në fushën akademike. Më tej, Prof. N.Dhamo bëri një panoramë të përgjithshme të ecurisë së universitetit "Barleti" që nga viti 2005, kur është krijuar si Universitet e deri më tani. Ai gjithashtu përmendi edhe disa nga sfidat që UB ka përpara vetes.
Menjëherë pas prezantimit, fjalën e mori Prof. Marenglen Spiro i cili falënderoi fillimisht Presidentin e Shoqërisë "Barleti" për vëmendjen dhe interesimin që i kushtoi personit të tij, më tej Bordin Drejtues për vendimin e marë për emërimin e tij si Rektor të Universitetit "Barleti" si dhe drejtuesit e njësive të institucionit dhe pedagogët e tyre për pritjen dhe vlerësimin ndaj figurës së tij; ai shprehu bindjen dhe motivimin për ta çuar para mbarëvajtjen e këtij institucioni arsimor. Takimi u mbyll me shkëmbime urimesh mes kolegësh.
Kush është prof.Dr. Marenglen Spiro
Prof.Dr. Marenglen Spiro, ka lindur në Tiranë në vitin 1949. Ka marrë titullin Fizikan në Unversitetin e Tiranës në vitin 1972. Menjëherë është emëruar pedagog i Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka mbrojtur gradën "Doktor i Shkencave" në Universitetin "Pjer dhe Mari Kyri", Paris VI, Francë, në fushën e Biofizikës. Në vitet 1987 - 1991 ka qenë këshilltar i bashkëpunimit Arsimor e Shkencor me Francën pranë Ambasadës Shqiptare Paris. Po në të njëjtën periudhë ka qenë anëtar i Komisionit të Bashkëpunimit Shqiptaro-Francez të Kulturës, Arsimit e Shkencës dhe anëtar i Komisionit Shqiptar të UNESCO-s.
Nga viti 1991 deri në ’94-ën, ishte punonjës Shkencor i Institutit "Kyri", Paris, Laboratori i Fizikës e Kimisë Biomolekulare dhe Profesor në Shkollën e Lartë e Fizikës e Matematikës Industriale të Universitetit Cergy-Pontoise, Paris, Francë. Një vit më vonë titullohet Profesor i Universitetit të Tiranës. Në vitin 1997 bëhet Rektor i Universitetit të Tiranës deri në vitin 2003; në periudhën 2007 / 2011 ka drejtuar Universitetin "Kristal" si Rektor i tij. Ndërkohë ai është edhe profesor i Ftuar i Universitetit të Limozhit, Francë (1996 - 2004).
Detyra të tij të tjera kanë qenë: Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë MASH, 1998-2003; i Ftuar i Përhershëm i Komitetit Ndër-Ministror të Integrimit Euro-Atlantik 2000-2002; Anëtar i Komitetit Ad-Hoc për reformimin e Kërkimit Shkencor pranë MASH, 2002-2003; Anetar i Bordit të Qëndrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut; Anëtar i Komisionit Kombëtar të Frankofonisë. Prof Dr Marenglen Spiro është mbajtës i Medaljes Franceze "Chevalier des Palmes Académiques". është autor dhe bashkautor në rreth 80 artikuj shkencorë në shtypin shkencor, të huaj e të vendit dhe komunikime në kongrese shkencore. është gjithashtu autor i rreth 30 kumtesave shkencore dhe për Arsimin e Lartë dhe autor e bashkautor në 10 tekste universitare e monografi shkencore.
