Në kuadër të aktiviteteve akademike që synojnë ndërthurjen e formimit teorik me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe praktikën profesionale, në Universitetin Barleti u zhvillua leksioni i hapur me temë “Inteligjenca Artificiale në Shëndetësi”, me pjesëmarrjen e studentëve të programit të studimit Fizioterapi.
I ftuar në këtë aktivitet ishte Ermand Mertenika, Inxhinier Fizikant, i specializuar në Inxhinierinë Biomjekësore, me rreth 20 vite përvojë në fushën e Teknologjisë Mjekësore dhe Teknologjisë së Informacionit.
Gjatë leksionit, studentët u njohën me mundësitë që ofron inteligjenca artificiale në transformimin e kujdesit shëndetësor, rolin e saj në zhvillimin e teknologjive mjekësore dhe aplikimet praktike në këtë sektor. Një vëmendje e veçantë iu kushtua demonstrimit të pajisjeve mjekësore, duke u dhënë studentëve mundësinë të njihen nga afër me teknologjitë dhe zgjidhjet që po ndikojnë gjithnjë e më shumë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Ky aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e perspektivës profesionale të studentëve, duke i njohur ata me inovacionet teknologjike dhe ndryshimet që po sjell inteligjenca artificiale në profesionet e shëndetësisë.
