Universiteti Barleti zhvilloi një takim koordinues online me partnerët PDI dhe ATI, në kuadër të projektit BLOOM25 – The Balkans Learn About Opportunities Offered by Organic and Sustainable Markets, me fokus progresin e aktiviteteve të WP2 – BLOOM Training & Digital Innovation.
Në kuadër të WP2 po zhvillohet një paketë e plotë trajnimi që synon të mbështesë ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e njohurive dhe aftësive profesionale në fushën e bujqësisë organike dhe të qëndrueshme. Kjo paketë përfshin analizën e nevojave për trajnim, një kuadër të përbashkët metodologjik dhe të sigurimit të cilësisë, mjete dhe materiale mbështetëse për trajnerët, module të strukturuara trajnimi dhe integrimin e tyre në platformën dixhitale të projektit.
Gjatë takimit, partnerët diskutuan mbi krijimin e një strukture të përbashkët për zhvillimin e moduleve, njësive mësimore, sesioneve të trajnimit dhe materialeve mbështetëse, me synimin për të siguruar cilësi, koherencë dhe një qasje të unifikuar në të gjithë programin e trajnimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu përshtatjes së përmbajtjes dhe metodologjisë së trajnimeve me kërkesat e platformës dixhitale.
Përmes këtyre aktiviteteve, BLOOM25 synon të krijojë mundësi konkrete për zhvillimin profesional, forcimin e kapaciteteve të arsimit dhe trajnimit profesional dhe përmirësimin e njohurive dhe aftësive që lidhen me zhvillimin e bujqësisë organike dhe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit.
Universiteti Barleti, përmes angazhimit të tij në WP2, kontribuon në zhvillimin e përmbajtjeve, metodologjive dhe instrumenteve të trajnimit që do të mbështesin realizimin e këtyre objektivave.
BLOOM25 është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+ Capacity Building in the field of Vocational Education and Training (VET).
