Universiteti Barleti mori pjesë në takimin mujor të projektit BLOOM25 – The Balkans Learn About Opportunities Offered by Organic and Sustainable Markets, të zhvilluar në kuadër të koordinimit të aktiviteteve, monitorimit të progresit dhe planifikimit të hapave të ardhshëm të projektit.
Gjatë takimit, Universiteti Barleti prezantoi progresin e punës në kuadër të Task 2.1 – Needs Analysis and Training Design, me fokus në analizën e nevojave dhe zhvillimin e moduleve të trajnimit.
Në kuadër të projektit do të zhvillohen 5 module trajnimi në fushën e bujqësisë organike dhe të qëndrueshme, me një kohëzgjatje prej 60 orësh secili. Modulet synojnë të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e njohurive dhe aftësive, si dhe përgatitjen e profesionistëve të arsimit dhe trajnimit profesional për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve dhe kërkesave të sektorit të bujqësisë organike dhe të qëndrueshme.
Partnerët diskutuan gjithashtu mbi zhvillimin e platformës së mësimit elektronik, aktivitetet e komunikimit dhe shpërndarjes së rezultateve, si dhe fazat e ardhshme të zbatimit të projektit.
Takimi shërbeu për koordinimin e mëtejshëm të punës ndërmjet partnerëve dhe avancimin e aktiviteteve të projektit, duke forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e tregjeve organike dhe të qëndrueshme.
BLOOM25 është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+ Capacity Building in the field of Vocational Education and Training (VET).
