Në kuadër të projektit të shkollës qendër komunitare Akademisë Rinore për të drejtat e njeriut e shkollës "Raqi Qirinxhi", organizoi një konferencë për edukimin e të drejtave të njeriut në shkollën e mesme me pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, rreth 100 persona, në sallën e Bibliotekës së qytetit. Kjo konferencë u përshëndet nga zëvendës kryetarja e bashkisë së Korçës, Benila Terova, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Kristaq Grabocka, përfaqësues të shoqërisë civile, Arben Kosturi, etj.
Fjala kryesore u mbajt nga drejtoresha e shkollës, Keti Qirinxhi, që shpjegoi thelbin e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e tyre në shkollë. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në fjalën e tij vlerësoi punën e bërë nga shkolla e mesme për të përfshirë të drejtat e njeriut në aktivitetet shkollore. Zëvendës kryetarja e bashkisë, tregoi për punën e kryer nga bashkia për të mbështetur aktivitetet e shoqërisë civile dhe të shkollave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe evidentoi veprimtaritë e kryera nga struktura për mbrojtjen e fëmijëve dhe kundër dhunës në familje e ngritur në bashki, e cila ofron mbështetje për njerëzit në nevojë, dhe merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga shoqëria civile për këto probleme.
Përfaqësuesi i shoqërisë civile prezantoi aktivitetet e organizuara nga ana e tyre për grupet e margjinalizuara të popullatës në Korçë dhe vlerësoi rolin e shkollës “Raqi Qirinxhi” për të kryer aktivitete të tilla të rëndësishme me komunitetin për edukimin e të drejtave të njeriut.
Përfaqësuesit e Institutit Shqiptar për Çështje Publike, Ervis Martani dhe Lavdie Ruci respektivisht shpjeguan projektin dhe folën në lidhje me mësimin dhe të mësuarit të drejtave të njeriut në shkollë duke paraqitur shembuj të ndryshëm të aktiviteteve që mund të organizohen me të rinjtë dhe komunitetin. Një anëtar i Akademisë Rinore për të Drejtat e Njeriut lexoi poezinë e Martin Luter King "Unë kam një ëndërr".
Aktiviteti u mbyll me konkursin shumë mbresëlënës ndërmjet dy grupeve të nxënësve për njohuritë e të drejtave të njeriut sipas instrumenteve ndërkombëtare për këtë fushë. Juria e përbërë nga mësuesit e shkollës dhe përfaqësues të shoqërisë civile drejtuan pyetjet dhe vlerësuan përgjigjet. Të dy grupet ishin përgatitur shumë mirë, por njëri fitoi. Të gjithë pjesëmarrësve të konkursit iu dhuruan libra të ndryshme bashkëkohore, jo vetëm për të drejtat e njeriut.
Në përfundim të këtij aktiviteti shumëdimensional u organizua një marshim në rrugën këmbësore të qytetit me ku u bashkuan edhe nxënës të tjerë të shkollës me slogane për të drejtat e njeriut në duar dhe stikera të ngjitur në bluzat e tyre. I tëri ishte një aktivitet i mirë organizuar me pjesëmarrje të gjerë të grupeve të ndryshme, nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile.
