Më datë 13 shkurt 2016, në kampusin nr. 2 të “Universiteti Barleti” u organizua ceremonia e inaugurimit të mjediseve të reja sportive.
I ftuari i nderit i këtij aktiviteti ishte Z. Erion VELIAJ, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si një nga institucionet mbështetëse në krijimin e këtyre ambienteve çlodhëse dhe argëtuese për studentët.
Krahas pjesmarrjes së stafit akademik të “Universiteti Barleti” nderuan me prezencën e tyre Zv. Ministri i Arsimit dhe Sportit Z. Rauf Dimraj, Znj. Elvira Baze, specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Sportit, Z. Viron Bezhani President i Komitetit Olimpik Shqiptar si edhe Znj. Suzana Janku, Drejtoreshë e Drejtorisë Arsimore të Tiranës si edhe drejtues të tjerë të sporteve në nivel kombëtar dhe lokal.
Fjala përshëndetëse e aktivitetit u mbajt nga Rektori i “Universiteti Barleti”, Prof. Dr. Marenglen Spiro, i cili evidentoi dhe vlerësoi realizimin e kësaj strukture të re mbështetëse të aktiviteteve të studentëve dhe Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sporteve. Nisma dhe konkretizimi i saj, të cilët gjetën mbështetje që në fillim nga Bashkia e Tiranës, u përshëndetën edhe vlerësuan, në vijim, nga Z. Erion Veliaj.
Aktiviteti pasoi nën trokitjen e gëzueshme të gotave dhe brohoritjet e Ekipit Barleti Voley, Skuadrës së Futbollit të Djemve, Akademisë Barleti Kids si edhe gjimnazistëve të gjimnazit Petro Nini në Tiranë.
Në përfundim një lojë miqësore basketbolli midis Z. Veliaj dhe studentëve të degës Edukim Fizik dhe Sporte la mbresa të paharrueshme për të pranishmit.
