Në datat 29 dhe 31 Maj 2010 në Universitetin Barleti, Profesori Alain Goussot, i Universitetittë Bolonjës dha dy leksione të hapura:
Dimensioni Ndërkulturor i Proceseve Formative dhe Profesionet midis Globalizimit dhe Shkëmbimeve Kulturore: Hapja e fronteve të reja për zhvillimin njerëzor.
Profesori A. Goussot, që jep Pedagogji Speciale, i përket departamentit të Shkencave të Edukimit dhe njëkohësisht është profesor në Fakultetin e Psikologjisë, po pranë Universitetit të Bolonjës. Ai është Presidenti i Qendrës së Studimeve e të Aksionit Pedagogjik "Raffaele La Porta", anëtar i Shoqërisë Italiane të Pedagogjisë Speciale, anëtar i Komitetit Shkencor të Institutit Pierre Janet të Parisit, ortak nderi i Shoqatës Kombëtare Italiane të Pedagogjisë, autor i shumë librave studimorë, por edhe drejtues i rëndësishëm i disa projekteve të Komunitetit Evropian, që trajtojnë problematikat e fëmijëve të braktisur në Europën Lindore.
Më 21 Dhjetor 2010, si vazhdimësi e këtij aktiviteti, por edhe si fillimi i një rruge të re bashkëpunimi, Departamenti i Shkencave të Edukimit "Giovanni Maria Bertin" i Universitetit të Bolonjës, përfaqësuar nga Drejtori i tij Prof. Roberto Farne dhe Fakulteti i Shkencave Humane i Universitetit Barleti, përfaqësuar nga Dekani i tij Prof. Luan Omari, kanë firmosur këto ditë një Marrëveshje Bashkëpunimi e cila synon të mbështesë e të zhvillojë reciprokisht fushën e kërkimit dhe të mësimdhënies, sikurse edhe të inkurajojë projektet edukative dhe kulturore me interes të përbashkët.
Kooperimi midis këtyre dy institucioneve do të përmbajë bashkëpunimin në projekte kërkimore në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor, që përkojnë me edukimin dhe trajnimet e kësaj sfere; shkëmbime vizitash midis kërkuesve, që të mund të inkurajohet kualifikimi i stafit akademik i të dyja palëve; organizimin e seminareve, simpoziumeve dhe diskutimeve që mbulojnë fushën e interesit të përbashkët me specifikat përkatëse.
Pedagogët e Universitetit Barleti e njëkohësisht studentët e tij, janë të ftuar të sjellin propozimet e tyre dhe të krijojnë grupet e para të punës, për një zhvillim të mëtejshëm e me standarde të ndërkombëtarizuara të mësimdhënies, çka i shërben jo vetëm Universitetit tonë, por edhe edukimit në tërësi.
