Sot më dt. 14.01.2016, në kuadër të aktiviteteve të Qendrës së Karrierës, në ambjentet e “Universiteti Barleti” u zhvillua prezantimi i Shkollës Zviceriane të Ekonomisë. Ky prezantim vjen si bashkëpunim i bordit të shkollës me institucione ndërkombëtare të arsimit të lartë që kultivojnë dije e praktika në fushat e ekonomisë, financës, menaxhimit e administrimit të biznesit, që ndërthurin shkëmbime profesorati si dhe shkëmbime studentësh në kuadrin e programeve ndërkombëtare ose bashkëpunimeve bilaterale me financime fondacionesh të ndryshme të interesuar etj, përfshirë këtu dhe UB.
Prezantimi u mbajt nga Znj. Ina Zeqaj, njëkohësisht ish studente e kësaj shkolle dhe aktualisht mban detyrën e partnership manager. Në prezantimin e saj ajo u shpreh se e veçanta e Swiss School of Economics nuk janë vetëm dijet akademike që merren në auditorë por gërshetimi i tyre me praktikat mësimore nëpërmjet ndjekjes së problematikave financiare, të drejtimit dhe kontabilitetit, organizimit të biznesit, administrimit të kompanive dhe rasteve studimore reale nga eksperienca e kompanive dhe financave publike të një vendi të përparuar si Zvicra si dhe në fund të studimeve prioritet i jepet punësimit të studentëve.
Si një aktor akademik i ri në fushën e ekonomisë, biznesit dhe turizmit, e pozicionuar në një nga pikat më turistike të Zvicrës, kjo shkolla ka një mision dhe filozofi të qartë: të arrijë standartet më të larta të cilësisë akademike dhe t’u mundësojë studentëve të saj por edhe atyre të ardhshëm një platformë të qartë të të mësuari në fushën e ekonomisë.
