Në vijim të veprimtarisë akademike dhe të bashkëpunimit me institucione të tjera arsimore brenda dhe jashtë Shqipërisë, në nëntor 2015, “Universiteti Barleti” nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin italian “La Seconda Universita di Napoli”.
Bashkëpunimi universitar do të konsistojë kryesisht në shkëmbimin e studentëve, të personelit akademik dhe të kërkuesve, më qëllim realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e të mësuarit, kërkimit shkencor dhe pjesëmarrjes në projekte kërkimi që zhvillohen tashmë në secilin prej universiteteve; në krijimin, zhvillimin dhe promovimin e përbashkët të aktiviteteve formuese innovative; në shkëmbimin e materialeve bibliografike mbi didaktikën; në pjesëmarrjen në simpoziume dhe evente të tjera akademike; prodhimin e përbashkët të publikimeve, revistave akademike dhe çdo tipologji publikimi me interes për të dyja palët; përpunimin e një sistemi të duhur për njohjen e krediteve universitare dhe në shkëmbimin dhe shpërndarjen e eksperiencave në fushën e vlerësimit universitar
Marrëveshja kuadër e bashkëpunimit do të pasohet nga një marrëveshje zbatuese në fushën e aktiviteteve kulturore, të mësimit, formimit dhe të kërkimit shkencor në disiplinat apo fushat e studimit që secili prej universiteteve ofron, duke realizuar edhe një program të përbashkët të shkëmbimit të studentëve, i shoqëruar me diplomë të përbashkët në degën e drejtësisë.
