Në kuadër të lëndës "Historia dhe Filozofia e Rekreacionit," studentët e vitit të dytë në degën Menaxhim në Turizëm, Rekreacion dhe Evente zhvilluan një vizitë studimore, e cila u udhëhoq nga pedagogia e lëndës, PhD Cand. Irena Resuli. Gjatë kësaj vizite, ata patën mundësinë të njihen nga afër me disa nga ambientet rekreative të qytetit dhe historikun e tyre, duke fituar njohuri praktike mbi menaxhimin e hapësirave rekreative dhe rolin e tyre në zhvillimin e turizmit dhe aktiviteteve fizike.
Vizita nisi me një ekskursion në Parkun e Liqenit, një nga hapësirat më të rëndësishme për aktivitete rekreative në natyrë. Studentët u njohën me zhvillimin e këtij parku dhe rëndësinë e tij për komunitetin, si dhe ndikimin që ka në promovimin e rekreacionit dhe turizmit.
Më pas, studentët vizituan Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku patën mundësinë të mësojnë për sportet olimpike dhe për figurat që kanë përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Vizita ofroi një pasqyrë të rëndësishme mbi lidhjen mes sporteve, rekreacionit dhe menaxhimit të eventeve të nivelit të lartë. Ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët për të lidhur teorinë me praktikën dhe për t’u njohur me sfidat dhe mundësitë që ofron sektori i menaxhimit të rekreacionit dhe turizmit.