Katedra "Jean Monnet" pranë Universitetit Barleti dhe Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, në bashkëpunim me Federatën për Paqen Universale ne Shkodër dhe shkollën e mesme “28 Nëntori”, të mbështetur nga Ambasada e Holandës në Shqipëri mbajtën një konferencë me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës së mesme dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile ne Shkodër më 21 shtator, në Ditën ndërkombëtare të paqes.
Mbledhja u moderua nga drejtori I Institutit Shqiptar për Çështjet Publike, Dr. Dorian Jano. Të gjithë folësit vlerësuan rëndësinë e tolerancës dhe bashkëpunimit ndërmjet tre besimeve në Shkodër mjaft të rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e qytetit të tyre. “Ne nuk e pyesim njeri tjetrin se cilit besim i përket”, thanë dy nxënës ne prezantimet e tyre. Zoti Mit’hat Dibra, kryetar i Federatës për Paqen Universale ne qytetin e Shkodrës, paraqiti një vështrim historik të zhvillimit të tre besimeve në qytetin e tij dhe nënvizoi raste konkrete të tolerancës e harmonisë midis tyre. Më tej Z. Ali Lacej, përfaqësues i shoqërisë civile shpjegoi dobinë e fesë për njerëzit dhe se si ajo mund të bëhet një mjet për të nxitur paqen e mirëkuptimin në komunitet e veçanërisht te të rinjtë. Ndërsa Dr. Ervis Martani foli për Dialogun ndërkulturor në Evropë duke e lidhur me këndvështrimin shqiptar si një vlerë e shtuar. Dr. Edita Fino duke vlerësuar vlerën edukuese të veprimtarive të tilla e quajti shumë të rëndësishme që këto të zhvillohen në shkollë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe komunitetit të interesuar për probleme të tilla duke e kthyer shkollën në një qendër komunitare.
Në këtë mbledhje mori pjesë zëvendës shefi I misionit të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Shqipëri z. Jurgen van Meirvenne I cili mbajti një fjalë përshëndetëse në fillimin të takimit. Ai nënvizoi kulturën e tolerancës së shkodranëve dhe bashkëjetesën e tre komuniteteve fetare. Në fjalën e tij ai u shpreh: “Unë sapo kam mbërritur në Shqipëri dhe u befasova nga bukuria e vendit, e mirësjelljes së popullit të saj dhe butësisë së motit. Por më shumë se të gjitha unë u çudita nga mënyra e trajtimit tuaj të diversitetit fetar. " Ai vuri në dukje se sa interesante është të shohësh një xhami dhe një pjesë të kishës të njëjtën rrugë dhe kjo të duartrokitet nga shqiptarët duke e përdorur fenë si një mjet për pasurimin e jetës së përditshme.
Opinionet e shprehura nga pjesëmarrësit, studentët dhe përfaqësues të shoqërisë civile plotësuan idenë e tolerancës dhe bashkëjetesës midis tre feve në Shkodër, si një vlerë që duhet të edukohet e të transmetohet brez pas brezi.
Ky ishte një tjetër aktivitet në kuadër të Akademisë Mobile organizuar nga katedra "Zhan Mone" dhe Instituti Shqiptar për Çështjet Publike për tema të ndryshme sipas fushave specifike në tërë vendin.
Aktiviteti i ardhshëm do të jetë në Gjirokastër, në fillim të tetorit.
