Universiteti Barleti mirëpriti me entuziazëm studentët e rinj për vitin akademik 2024-2025. Zv/Rektorja Akademike, Prof. Asoc. Dr. Semiha Loca, hapi zyrtarisht këtë vit akademik me një fjalim frymëzues, duke prezantuar studentët me mundësitë e shumta që ofron universiteti dhe duke i inkurajuar të përfitojnë sa më shumë nga ky rrugëtim i ri.
Më pas, përgjegjësit e departamenteve prezantuan misionin, vizionin dhe projektet inovative të secilit drejtim studimi, duke theksuar përkushtimin e tyre për suksesin akademik të çdo studenti. Gjatë prezantimeve, studentët u njohën në detaje me programin mësimor dhe kurrikulën themelore, si dhe me detyrimet e tyre lidhur me mungesat, testimet dhe vlerësimet.
Kjo ditë shënoi një fillim të mbarë për studentët e rinj, duke vendosur themelet për një rrugëtim të suksesshëm akademik.
Në ditën e dytë të orientimit, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me elementët kryesorë të jetës studentore në Universitetin Barleti. Prezantimet përfshinë informacione rreth klubeve studentore, bibliotekës, zyrës Erasmus+, si dhe përfitimet që ofron karta rinore dhe studentore. Gjithashtu, studentët u informuan për shërbimet mbështetëse të dedikuara për ta gjatë gjithë kohës së studimeve.
Kjo ditë i ndihmoi studentët të krijonin një pamje më të qartë për jetën universitare, duke nënvizuar mundësitë e shumta që kanë për të përjetuar një përvojë të pasur dhe gjithëpërfshirëse, brenda dhe jashtë mureve të klasës.