Në datën 20 tetor 2010, Universitetin Barleti e vizitoi Profesori Luis Felipe Hax Niencheski, i Fondacionit Universitar Federal të Rio Grandes (FURG) në Brazil. Profesor Niencheski është nga figurat e njohura botërisht për përvojën e tij shkencore në fushën e oqeanografisë, veçanërisht të oqeanografisë kimike. Ai është pjesëmarrës në një sërë forumesh dhe projektesh ndërkombëtare, si dhe ka një veprimtari mjaft të gjërë shkencore, me mbi 100 punime të publikuara në revistat më të njohura shkencore.
Në një nga auditoret e universitetit “Barleti”, në prani të studentëve dhe të pedagogëve, ai mbajti referatin me temë: “Zhvillimet dhe problematika e ekosistemeve detare dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë fushë midis Brazilit dhe Shqipërisë “. Nëpërmjet përvojës shkencore, por edhe asaj aplikative, sidomos në menaxhimin e aksidenteve apo problematikës mjedisore në brigjet e Lagunës Patos në Brazil, professor Niencheski tregoi domosdoshmërinë e angazhimit të universiteteve, si struktura pararendëse të zhvillimit shkencor, për përgatitjen dhe monitorimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm në zonat bregdetare, por edhe më gjerë. Në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të UB u diskutua edhe për rrugët dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy universiteteve.
