Që prej vitit 1977, çdo 18 Maj, në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo datë është vendosur nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve – ICOM i UNESCO-s - dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë.
Në këtë kuadër, më 17 Maj 2024, Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi aktivitete të ndryshme për publikun e gjerë, ku Universiteti “Barleti” ishte një ndër partnerët kryesore të këtij eventi.
Studentët e Universitetit Barleti, u prezantuan me projektin e realizuar në formën e një mini-filmi të animuar me tematikë “Qarkullimi monetar gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine dhe asaj të Republikës së Venecias”, bazuar në materialet dhe koleksionet e ekspozuara në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, në vijimësi të një vizite studimore.
Një grup studentësh të talentuar nga profilet e studimit “Bachelor” në “Financë-Kontabilitet” dhe “Financë, Bankë, Sigurime, Pasuri të Paluajtshme”, Departamenti i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Financës (Elena Shaba, Bardhë Peçani, Lisandra Frroku, Kejsi Duqi, Andia Gjoni, Greisi Cani, Selman Dyrmo, Kristjana Velgjini, Dardan Myzyraj dhe Klea Veizi) nën mentorimin e profesoreshës së Financës, Dr. Blerina BANUSHI trajtuan me profesionalizëm historinë e qarkullimit monetar të dy fuqive më të rëndësishme të historisë evropiane: Perandorisë Bizantine dhe Republikës së Venecias.
Filmi u shfaq për vizitorët e Muzeut në këtë ditë të hapur, duke nxitur interesin e publikut dhe duke ngacmuar kuriozitetin e tyre mbi punën kërkimore që qëndron pas ekspozitave muzeore.