Në kuadër të konkursit kombëtar të Creative Business Cup, edhe këtë vit u spikatën shumë talente. Pas bootcamp-eve të zhvilluar në disa nga qytete të Shqipërisë dhe një mori aplikimesh me ide startup-esh të jashtëzakonshme, kemi përzgjedhur projektin e Ledio Cerka, dronin manual FPV, si përfaqësuesin tonë kombëtar në Finalet Botërore të CBC në Kopenhagen më 2-3 qershor, ku droni inovativ i ndërtuar nga vetë Ledio do të përfaqësojë Shqipërinë.
Ky dron me aftësinë ‘First-person view’ spikat për kontrollin e tij manual të avancuar, që mundëson manovra të ndërlikuara dhe xhirime me cilësi të lartë 4K/60fps.
Ledio, vetëm 17 vjeç dhe nxënës i Shkollës së Mesme Jo-Publike “Kristaq Rama”, është një dëshmi e iniciativës kreative të biznesit dhe aftësive teknike të gjimnazistëve shqiptarë të talentuar, duke sjellë në pah potencialin e tyre të madh në skenën ndërkombëtare.
Creative Business Cup është një event global i inovacionit, krijimtarisë dhe dijes që bashkon biznese kreative, aktorë të ekosistemit të startup-eve dhe individë të apasionuar pas sipërmarrjes kreative nga e gjithë bota, ku Adriapol Institute në bashkëpunim me Universitetin Barleti është një partner ndërkombëtar.