
"Me iniciativën e Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UniBa, një delegacion i Universitetit Barleti në përbërje të tij ishte Rektoria e Universitetit Prof. Dr. Suzana Guxholli, Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Dr. Artan Pogoni, si dhe ekipi i "Barleti Volley", nga data 3-5 Mars 2024, me ftesë nga Universiteti i Camerinos në Itali dhe CUS Camerino, në bashkëpunim me Federatën e Sportit Universitar Shqiptar, zhvilluan një vizitë miqësore në këtë qytet.
Drejtuesit e delegacionit gjatë këtyre ditëve u pritën zyrtarisht në një atmosferë miqësore nga Rektori i Universitetit të Camerinos, Prof. Dr. Graziano Leoni, nga Presidenti i CUS Camerino, Dr. Stefano Belardini, nga Kryetari i Bashkisë së Camerino, Z. Roberto Lucareli, si dhe nga Presidenti i Regione Marche, Z. Francesco Acquareli.
Gjatë këtyre takimeve, Prof. Dr. Suzana Guxholli dhe Dr. Artan Pogoni prezantuan qëllimet dhe objektivat e UniBa në drejtim të internacionalizimit të Universitetit Barleti dhe gatishmërinë për bashkëpunime shumëplanëshe, si në fushën akademike, ashtu edhe në atë sportive dhe të biznesit.
Gjatë takimit me një rëndësi të vecantë për Universitetin dhe studentët barletas u firmos marrëveshja e binjakëzimit mes 2 universiteteve dhe u shkëmbyen ide të shkëlqyera për projektet e ardhshme, bashkëpunim akademik, diploma të dyfishta, lëvizshmëri studentore, lojëra sportive universitare etj.
Falënderojmë të gjithë personalitetet që na pritën, treguan gatishmërinë dhe entuziazmin e tyre për bashkëpunim në një të ardhme të afërt.
Ekipi i vajzave të volejbollit "Barleti Volley" bëri një prezantim fantastik, duke zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin e volejbollit të CUS Camerino. Përtej rezultatit teknik sportiv, që foli për ekipin tonë me një fitore të pastër 3-0, vajzat shijuan edhe mikpritjen, dashamiresinë dhe partneritetin e vajzave italiane dhe stafeve të tyre drejtuese. Shpresojmë se kjo do të krijojë hapsira për bashkëpunime edhe në fushën e sportit elitar në të ardhmen. Dr. Stefano Belardini, si President i CUS Camerinos, vlerësoi shumë pjesëmarrjen ekipit tonë në këtë takim, duke theksuar se sporti është dhe do të vazhdojë të mbetet si një urë lidhëse ndërmjet dy universiteteve. Gjithashtu, falenderojmë edhe Presidentin e FSHSU, Z. Besnik Veliu, për mundësinë që i dha ekipit kampion universitar "Barleti Volley" të marrë pjesë në këtë event të rëndësishëm, si sportiv, ashtu edhe akademik dhe miqësor.
Në nder të delegacionit tonë, u shtrua një darkë zyrtare nga Rotary Club-Camerino, ku morën pjesë shumë personalitete të larta të biznesit dhe figura të qytetit. Prej tyre morëm shumë urime dhe vlerësime për paraqitjen tonë, por edhe shumë premtime për bashkëpunime në të ardhmen.
Delegacioni ynë bëri edhe një vizitë zyrtare në zyrën e Balducci, një kompani që operon prej vitesh, edhe në Shqipëri. U pritëm nga Presidenti i saj, Z. Franco Balducci, si dhe nga Presidenti i Macerata Volley, Z. Pietro Paolella. Përfaqësuesit e këtij biznesi italian treguan interes edhe për bashkëpunim në fushën e sportit dhe sidomos në atë të volejbollit të femrave në një të ardhme të afërt.
Në emër të UniBa, Rektoria Prof. Dr. Suzana Guxholli ftoi me shumë kënaqësi personalitetet zyrtare, si dhe ekipin e vajzave të volejbollit, për një vizitë në Tiranë."
Më shumë mbi këtë lajm - Kliko këtu!
