Zyra e karrierës në bashkëpunim me klubin e Karrierës organizuan takimin e radhës, me qëllim lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit në favor të studentëve me kompaninë SFC Albania.
Përfaqësues të SFC Albania në prani të studentëve nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Barleti. E pranishme në takim Rektorja e Universitetit Barleti, Prof.Dr.Suzana Guxholli theksoi se kjo është një mundësi unike për t’u përballur me tregun e punës gjatë kohës së studimeve. “Universiteti ynë si një universitet aplikativ, synon t’ju orientojë në tregun e punës duke ju vënë në kontakt me punëdhënësin, siç është në këtë rast kompania SFC Albania, me të cilën ne po nënshkruajmë këtë marrëveshje bashkëpunimi”, theksoi Prof.Dr.Guxholli.
Nga viti 2020 SFC Albania ofron shërbime profesionale të outsourcing për klientë në Shtetet e Bashkuara. “Ekipi filloi me më pak se 5 persona, dhe tashmë përbëhet nga më shumë se 200 të rinj të zgjuar dhe të talentuar, të cilët flasin mirë anglisht dhe janë të njohur me teknologjinë. Ne ju ofrojmë mundësinë të fitoni eksperiencën e shumëkërkuar në tregun e punës, pasi jemi ndër të paktat kompani që eksperiencën e punës nuk e kemi primare”, theksoi gjatë takimit themeluesi dhe administratori i SFC Albania.
SFC Albania ofron një shumëllojshmëri të madhe të mundësive të punës, nga futja e të dhënave bazike deri te detyrat administrative komplekse, të gjitha të përfshira drejtpërdrejtë me kompanitë në Shtetet e Bashkuara dhe kulturën e tyre të punës.
Studentët e pranishëm në takim patën mundësi të drejtonin pyetje dhe të merrnin më shumë informacion rreth kësaj mundësie punësimi.