Gjatë periudhës 1 mujore, 11 prill-15 maj 2015, universiteti “Barleti” zhvilloi në mjediset e kampusit 1 të tij, kurse formimi falas për maturantët e gjimnazeve të Tiranës, lidhur me përballimin me sukses nga ata të provimeve të lëndëve të detyrueshme dhe ato me zgjedhje për maturën shtetërore.
Kurset u ofruan për 7 lëndë, provime të maturës shtetërore 2015, nga pedagogë të universitetit, por dhe nga mësues të njohur të Tiranës, të cilët kanë kontribuar në hartimin e tezave të provimit të maturës shtetërore ndër vite.
Për provimet e detyruara u zhvilluan kurset e mëposhtme:
1. Gjuhë shqipe dhe Letërsi nën drejtimin e mësueses me përvojë shumë të suksesshme në Tiranë, Lindita Murthi, autore e kurrikulës së gjuhës shqipe dhe letërsisë për të gjitha llojet e shkollave të mesme, por dhe hartuese e tezave të maturës shtetërore për këtë provim ndër vite.
2. Matematikë nën drejtimin e mësueses së gjimnazit Teuta Dobi, mësuese e shquar e kësaj lënde, por dhe hartuese e pyetjeve dhe tezave të maturës shtetërore ndër vite.
3. Anglisht nën drejtimin e profesor Gëzim Hadaj, personalitet i gjuhës angleze, autor i kurrikulës së gjuhës angleze nëarsimin parauniversitar, pedagog në UB
Për provimet me zgjedhje u zhvilluan kurset e mëposhtme:
1. Fizikë nën drejtimin e profesor Marenglen Spiro, Rektor i UB, personalitet i fushës së fizikës. Autor i teksteve për këtë lëndë në arsimin parauniversitar dhe ndërkohë me përvojë disavjeçare në zhvillimin e kurseve të maturës nga UB.
2. Ekonomi bazë dhe Ekonomi e avancuar nën drejtimin e pedagoges së UB-së Asije Koprencka, e cila ka një përvojë disavjeçare në zhvillimin e kurseve për maturën shtetërore në UB, por dhe një njohëse e shkëlqyer e përmbajtjes së lëndëve dhe testeve të lëndëve të cituara.
3. Sociologji nën drejtimin e pedagogeve të reja të UB-së, Sidita Gjipali dhe Albina Shehu,
të diplomuara për sociologji dhe me kualifikime pasuniversitare dhe doktorale, por dhe njohëse të dalluara të kësaj lënde dhe specifikave të provimit të maturës shtetërore për këtë lëndë.
Për mbarëvajtjen e zhvillimit të kurseve përgjegjësinë institucionale në UB e pati Instituti i Edukimit “Barleti” (IEB), i cili që në fillim të këtij viti krijoi ekipin përgjegjës për kurset e maturës shtetëore të përbërë nga Robert Gjedia, Elona Bano, Asije Koprencka.
Ky ekip menaxhoi gjithë procesin parapërgatitor dhe atë të zhvillimit të kurseve.
U hartuan formularët e aplikimit për shprehjen e interesit të maturantëve, i cili u shpërnda on-line, por dhe i printuar në të gjitha gjimnazet e Tiranës, si dhe në shumë gjimnaze të njohura të vendit. Bashkë me formularin e aplikimit, u shpërnda dhe grafiku i orareve të kurseve për çdo ditë të planifikuar. Lajmërimi u bë në disa faza.
Në fillim gjatë vizitave që u zhvilluan gjatë muajit mars në gjithë gjimnazet e Tiranës, Kamzës dhe Paskuqanit. Më pas lajmërimi i dytë u bë në javën e fundit të marsit dhe javën e parë të prillit me anë të e-mailit personal tek gjithsecili, por dhe me anë të shpalljes së lajmit në facebook-un e universitetit. Nga ky komunikim rezultuan mbi 122 nxënës të interesuar me disa e-maile dhe telefonata me dekanin e studentëve.
Për zhvillimin e tyre, krahas përzgjedhjes së pedagogëve me përvojë në këtë proces në UB, u identifikuan dhe 2 mësues të njohur në Tiranë për lëndët e gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe të matematikës. Çdo maturant pati mundësinë që të pajisej me materiale pune, të fotokopjuara, për lëndët që ndiqnin, gjë e cila lehtësoi të nxënët e tyre.
Mjediset e auditoreve të kampusit 1 u vunë në dispozicion gjatë periudhës 11 prill-15 maj, çdo pasdite në mbështetje të kurseve.
Faqja zyrtare e internetit të UB-së , gjatë gjithë kësaj periudhe informoi në vijimësi maturantët e interesuar për të marrë pjesë në kurset e formimit falas për maturën shtetërore.
II. ZHVILLIMI I KURSEVE
Për të 7 lëndët, që u zhvilluan kurset, u punua në bazë të programeve zyrtare të miratuara nga MAS për maturën shtetërore 2015.Janë realizuar programet e të shtatë lëndëve, si dhe gjithë planifikimi i parashikuar, duke përfshirë ushtrime e teste në librat e miratuar nga MAS, si dhe me testet e punuara ndër vite.
Kurset u zhvilluan normalisht konform planifikimit të bërë për çdo ditë. Numri i maturantëve pjesëmarrës në to ishte i kënaqshëm.Çdo ditë, sipas grafikut, merrnin pjesë mbi 120 maturantë në lëndët e planifikuara, numër ky që rritej ditë pas dite, një tregues pozitiv ky i cilësisë dhe i motivimit që pedagogët dhe mësuesit, drejtues të kurseve, kanë demonstruar përkushtim dhe profesionalizëm.
Interes pati për të gjithë kurset e lëndëve, por për vetë specifikat që kanë provimet e detyruara, më shumë maturanët ndoqën këto lëndë si: Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, Anglisht, ndërsa tek lëndët me zgjedhje më shuma kishte tek lëndët Hyrje në ekonomi dhe Ekonomi e avancuar.
Për të gjithë maturantët e përfshirë në kurse, u hartua një database e plotë me të dhëna të detajuara të secilit maturant (me e-maile, telefona, emra në fb, degët që dëshirojne të vazhdojnë, karta identiteti të tyre).
Komentet e përpunuara, të marra nga diskutimet dhe nga fokus-grupet e maturantëve në ditë të ndryshme të zhvillimit të kurseve, shprehin vlerësim dhe konsideratë të lartë profesionale për zhvillimin e kurseve, për lehtësimin që u dha atyre për përballimin me sukses dhe me cilësi të provimeve të maturës, por dhe shprehje mirënjohjeje për ofrimin falas të këtij shërbimi.
Maturantët gjatë periudhës së kurseve patën gjithashtu mundësi që të njohin më mirë mjediset, pedagogët, fakultetet, profilet dhe shërbimet që ofron UB dhe mjaft prej tyre e kanë vlerësuar mundësinë e vijimit të studimeve të larta pranë UB.
Maturantët flisnin hapur që janë ndjerë mirë dhe të vlerësuar në mjediset e universitetit, gjë e cila ndikon në mënyrë të natyrshme dhe për mbështetjen e opinionit të mirë që UB ka në shërbimet që ai ofron.
III.Në Të ARDHMEN
Instituti i Edukimit “Barleti” (IEB), mbështetur në përvojën shumë të mirë, disavjeçare, që ka UB për zhvillimin e kurseve të maturës shtetërore, do të identifikojë praktikat më të mira të zbatuara, të cilat kanë rezultuar të suksesshme për mbështetjen e maturantëve, por dhe për të ndikuar në mënyrë efikase mbi politikat rekrutuese të UB-së, të cilat do t’i ketë në vëmendje për vitin e ardhshëm akademik.
Nga ana tjetër IEB dhe do të përpilojë një plan të detajuar për kurset e maturës 2016, duke menduar fillimisht shtimin e lëndëve të tjera në kurset falas të formimit të maturantëve, por dhe të tjera ide, me synimin për ta bërë këtë shërbim akoma më të frytshëm për maturantët, por dhe për perspektivën e UB.
Përgatitën:
Robert Gjedia, Elona Bano, Asije Koprencka
Maj, 2015