
Studentët e vitit të tretë në Arkitekturë në Universitetin Barleti, shoqëruar nga pedagogët Etleva Dobjani, Laura Shumka dhe Saimir Shtylla, organizuan një vizitë të veçantë në qytetin e Kukësit më datën 19 tetor 2023. Kjo vizitë ishte një eksperiencë unike për të eksploruar thellësisht trashëgiminë kulturore të këtij qyteti dhe jo vetëm.
Fillimisht, studentët vizituan muzeun etnografik të qytetit, ku u njohën jo vetëm me artefaktet e rëndësishme që dëshmonin pasurinë etnografike dhe kulturore të këtij rajoni gjatë shekujve por edhe florën dhe faunën që karakterizojnë peizazhet unike të rajonit në fjalë. Pastaj, të shoqëruar nga Shefi i Sektorit të Turizmit dhe Mjedisit në Bashkinë e Kukësit Besart Halilaj, ata u njohën nga afër me arkitekturën e veçantë të qytetit, dhe në veçanti me Qytetin Nëntokësor, një dëshmi e rëndësishme dhe plot mister e së kaluarës së këtij qyteti ndërtimi i të cilit filloi në vitin 1962 dhe i aktivizuar plotësisht në 1978.
Në vijim të vizitës në Bashkinë e Kukësit, Drejtori i Urbanistikës, arkitekti Andrit Shehu, u theksoi studentëve rëndësinë e arkivimit dhe dixhitalizimit të materialeve grafike të objekteve të cilat përfaqësojnë të trashëgiminë arkitektonike dhe historike të qytetit
Biseda dhe prezantimet nga profesionistët e Bashkisë së Kukësit, në lidhje me vizionet dhe projektet e zhvillimit urban në këtë qytet, i jep mundësi Departamentit të Arkitekturës dhe Dizajnit, veçanërisht studentëve të UMB, për bashkëpunime dhe projekte të përbashkëta. Ky shkëmbim i informacionit ishte i rëndësishëm për të kuptuar më mirë sfidat dhe mundësitë që ofron Kukësi në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit.
