Me datë 27 prill 2015 u zhvillua pranë Universiteti Barleti një takim monitorimi organizuar nga zyra e programeve Erasmus+ ( TEMPUS) të Komisionit Evropian, me partnerët shqiptarë të përfshirë në projektin “Të vendosim të drejtat e njeriut në zemër të Arsimit të Lartë”. Ky projekt ka filluar më tetor 2011 me pjesëmarrjen e 15 institucioneve të arsimit të lartë në Evropë dhe Ballkan (Roehampton, BM; Galway Irlandë; Mannheim, Gjermani; Gotenborg, Suedi; Prishtinë, Kosovë; Beograd, Novi Sad, Kragujevac, Serbi; Sarajevë, Zenica,Bosnjë - Herzegovinë, Podgoricë, Donja Gorica, Mali i Zi; Barleti, UET dhe Universiteti i Tiranës, Shqipëri.
Gjatë tre viteve të zbatimit të projektit janë zhvilluar një sërë aktivitetesh në të gjitha vendet e rajonit dhe në Universitetin Roehampton, drejtues i projektit, ku janë këmbyer përvoja midis kolegësh, janë trajnuar studentë e pedagogë të rinj në fushën e të drejtave të njeriut fokusuar në zgjerimin e njohurive, përmirësimin e metodave të mësimdhënies, përfshirjen aktive të studentëve dhe të aktorëve jashtë universiteteve.
Ndër arritjet më të rëndësishme të projektit vlerësohet përgatitja e kurseve të reja për të drejtat e njeriut dhe përfshirja e tematikave rreth të drejtave të njeriut në kurset ekzistuese, rritja e shkallës së ndërgjegjësimit të stafeve universitare dhe përfshirja në veprimtari praktike e studentëve. Koordinatoret e projektit për secilin nga institucionet shqiptare Dr. Saemira Pino për UB, Prof. Edlira Haxhiymeri për Universitetin e Tiranës dhe Dokt. Bleriana Bino, Universiteti Evropian i Tiranës, bënë një prezantim dhe vlerësim të punës së kryer dhe të vetë projektit, duke e konsideruar atë të dobishëm dhe të suksesshëm.
Pyetjeve rreth projektit, të drejtueses së Zyrës Kombëtare Erasmus+, znj. Edit Dibra, iu përgjigjën koordinatoret si dhe pjesëmarrësit e grupeve të punës për zbatimin e projektit.
Ishte një takim i frytshëm, që krahas analizës së arritjeve të projektit, shtroi udhën për nisma të tjera në të ardhmen mes partnerëve shqiptarë në bashkëpunim me programin Erasmus+, që mundëson edhe lidhjet me kolegë dhe partnerë të tjerë evropianë.
Shkarkoni Broshuren >>
