Ditën e mërkurë më datë 22.04.2015 ora 09:00, në Kampusin I të “Universiteti Barleti”, në sallën A22, Departamenti i Shkencave kompjuterike & IT në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT) dhe Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik (AKCE) organizoi një sesion informues me studentët e degës së informatikës me temë: “Siguria Kompjuterike”.
Të ftuar ishin prof.asoc. dr.Rovena Bahiti, drejtore e Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT), si edhe znj. Edlira Llango, drejtore, e Autoritetit Kombëtar për Çertifikimin Elektronik (AKCE).
Znj. Bahiti e nisi prezantimin e saj mbi rolin e Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT), detyrat dhe përgjegjësitë e saj. Duke folur përpara studentëve dhe të pranishmëve të tjerë, znj. Bahiti e përqendroi fjalën e saj në rëndësinë e Dokumentit të Politikave për Sigurinë Kibernetike si edhe impaktin e këtij dokumenti në jetën e secilit prej nesh.
Sesioni informues vijoi më pas me diskutimin e znj. Edlira Llango, e cila u fokusua në rolin e Autoritetit Kombëtar për Çertifikimin Elektronik (AKCE), duke u ndalur veçanërisht në benefitet dhe shërbimet e besuara këtij autoriteti. Gjatë prezantimit të saj, znj. Llango i rezervoi një vend të veçantë shërbimit të nënshkrimit elektronik, mënyrës sesi ky shërbim do të ofrohej, kur do të fillonte të ishte aktiv dhe sesa efiçent do të ishte përdorimi i tij gjatë aktiviteteve tona të përditshme.
Sesioni informues u mbyll me një seancë pyetje-përgjigjesh.
