Katedra “Jean Monnet” në Universitetin Barleti dhe Institutit Shqiptar për Çështjet Publike, të mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tiranë shpallën nismën “Mobile Public Academy” si një seri leksionesh, seminaresh e konferencash për çështje të ndryshme lidhur me zhvillimet specifike në vend të fokusuara në të drejtat e njeriut dhe integrimin evropian. Ndryshe nga iniciativat e tjera, Akademia Mobile do të ndryshojë vendin dhe tematikën sipas nevojave konkrete të qyteteve përkatëse. Ne synojmë të shkojmë në qytetet kryesore të vendit për të ndërtuar dialogun e shkëmbyer përvojat me aktorët lokalë duke I ndërgjegjësuar për sfidat dhe kapacitetet e tyre në ndikimin pozitiv në komunitet.
Në zbatim të kësaj nisme, katedra “Jean Monnet” dhe Institutit Shqiptar për Çështjet Publike zhvilluan një konference me temë: “Integrimi i Romëve ne Shoqëri” me pjesëmarrjen e studentëve e pedagogëve të Universitetit Aleksandër Xhuvani. Aktiviteti u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tirane dhe u nderua me praninë e të ngarkuarit me punë të kësaj ambasade në Shqipëri, z. Gilles Bawuens, i cili përgëzoi organizatorët për nismën dhe përshëndeti pjesëmarrësit për aktivitetin në ditën ndërkombëtare të popullsisë rome, duke vlerësuar veçanërisht punën e kryer nga Universiteti Aleksandër Xhuvani për hapjen e gjuhës rome në degën e gjuhës shqipe të këtij universiteti. Konferenca u përshëndet nga drejtori i ISHÇP, dr. Dorian Jano dhe zëvendës rektorja e Universitetit Aleksandër Xhuvani ne Elbasan, dr. Imelda Seidini.
Në vazhdim u mbajtën referate për historinë e popullsisë rome ne shekuj dhe përpjekjet për integrimin e tyre ne shoqëri, nga dr. Elisabeta Osmanaj, pedagoge në Universitetin Aleksandër Xhuvani Elbasan.
Romët, me anë të traditave dhe të kulturës së tyre të pasur, kanë kontribuuar përgjatë shekujve në zhvillimin e shoqërisë evropiane. 8 prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, është një ditë për të festuar kulturën rome dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të reflektuar mbi diskriminimin dhe sfidat me të cilat përballen popujt romë në jetën e tyre të përditshme në fusha si arsimimi, punësimi, shëndetësia, dhe strehimi. Me një popullsi e cila përllogaritet rreth 10-12 milionë, romët kanë pësuar historikisht persekutimin dhe diskriminimin, midis të cilëve edhe famëkeqin Porrajmos. Sipas Agjencisë të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut mesatarisht një në dy romë ka qenë viktimë e diskriminimit racor.
Shqipëria iu bashkua Dekadës së Përfshirjes së Romëve në vitin 2008. Raport Progresi i Komisionit Evropian për Shqipërinë i vitit 2012 e karakterizon implementimin e politikës në nivel qendror dhe lokal si “shumë të ngadaltë”, duke ia atribuuar këtë gjendje “burimeve joadekuate dhe koordinimit të pamjaftueshëm midis institucioneve të angazhuara në nivel qendror dhe lokal”, duke theksuar
njëkohësisht pamjaftueshmërinë e angazhimit dhe mosndërgjegjësimin e një pjese të autoriteteve vendore. Raport Progresi i Komisionit Evropian për Shqipërinë i vitit 2014 cilëson implementimin e politikave për romët akoma si të pamjaftueshme.
Folësja tjetër znj. Mirela Gjoni, përfaqësuese e Forumit të Gruas Elbasan, zbërtheu hollësisht punën e kryer nga organizatat e shoqërisë civile në Elbasan për përfshirjen e romëve në veprimtaritë e ndryshme në komunitet, duke filluar me arsimimin e fëmijëve, ofrimin shërbimeve për personat në nevojë, deri një vakt ushqimi, mësimin e profesioneve përmes projekteve të ndryshme çka u mundëson punësimin e tyre. Znj. Gjoni kritikoi institucionet shtetërore qendrore e vendore për më tepër angazhim në përmirësimin e jetesës së kësaj popullsie të vuajtur por me shumë tradita, sidomos në fushën e kulturës e artit.
Ndërsa z.Blendi Gremi, përfaqësues i qarkut Elbasan, shpjegoi punën e kryer në kuadrin e grupit teknik për hartimin e strategjisë dhe planit të veprimit për përmirësimin e gjendjes së popullsisë rome. Ai kritikoi Planin e veprimit 2010-2015, pasi me gjithë vlerat teorike nuk kishte parashikuar buxhetin e duhur për realizimin e veprimtarive në rregullimin e gjendjes. Ndaj në një raport vlerësimi për zbatimin e planit është konstatuar që është realizuar vetëm 20%. Si arritje për Elbasanin është regjistrimi i popullsisë rome duke krijuar database për ta i mbështetur nga projekti i Fondacionit SOROS e UNDP.
Një nga studentët pyeti se si është punuar për punësimin e romeve, dhe iu dha përgjigja se mungesa e njohurive te gjuhës shqipe vështirëson pjesëmarrjen ne kurset e formimit profesional çka pengon punësimin e tyre për arsye kualifikimi. Përfaqësuesi i qarkut pranoi se ne këtë pike nuk kanë bërë gjë.
Problemet e arsimimit si element thelbësor në integrimin e romeve në shoqëri i trajtoi znj. Eva Nita, pedagoge e jashtme në Universitetin Aleksandër Xhuvani Elbasan dhe drejtuese e një OJF-je, duke theksuar se ai është tepër i rëndësishëm dhe ndikon drejtpërdrejt ne përmirësimin e jetesës së kësaj popullsie. Problemi qëndron se një pjesë e madhe e fëmijëve romë e braktisin shkollën që në klasën e tretë. Ose familjet emigrojnë duke i marrë fëmijët me vete e ata mbeten pa u regjistruar në asnjë lloj shkolle. Pengesë për arsimimin e tyre bëhet mosnjohja e gjuhës shqipe, pasi nuk ka mësues të gjuhës rome.
Studenti Ervis Çota, foli për veprimtaritë e kryera nga shoqata e lëvizjes rome, duke theksuar rëndësinë e arsimimit për bashkëmoshatarët e tij. Ne jemi popullsi arsimdashëse, por duhet te krijohen disa kushte si gjuha, regjistrimi i popullsisë, etj.
Kjo konference ishte e dobishme se jo vetëm trajtoi për herë të parë me studentet e universitetit problemet e popullsisë rome por edhe i ndërgjegjësoi ata për të pare me tej lagjes së tyre, e për të zgjeruar horizontin e vëmendjen ndaj grupeve të tjera shoqërore duke i vlerësuar për traditat e kulturën që përcjellin paçka kushteve të vështira ekonomike që i zhysin në varfëri.
Takimi u mbyll me premtimin për të pasur të tjerë seminare, bashkëbisedime e leksione të hapura për tema të tilla interesante që zgjojnë kërshërinë e studentëve.
