
Departamenti i Drejtësisë në Universitetin “Barleti” dhe Instituti Adriapol, me iniciativën e pedagoges Jonida Begaj PhD, zhvilluan leksionin e hapur me temë "Problemi i refugjatëve sirianë në fokusin e BE-së, Turqisë dhe Shqipërisë". Në këtë aktivitet ku morën pjesë studentë, pedagogë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe maturantë u trajtua gjerësisht çështja e refugjatëve sirian, mënyra se si është menaxhuar ajo nga ana e vendeve të BE-së si dhe vendeve në proces integrimit siç janë Shqipëria dhe Turqia.
Pedagogia e Departamentit të Drejtësisë Jonida Begaj Phd, përcolli një panoramë të përgjithshme rreth procesit të hapjes së afërme të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, duke u ndaluar tek rëndësia e kapacitetit negociues të vendit kandidat dhe ndikimit të çështjes së emigracionit në këtë proces.
Ndërsa referuesja Znj. Joana Ruçi, juriste dhe specialiste e marrëdhënieve ndërkombëtare, solli një analizë lidhur me mënyrën e trajtimit të çështjes së refugjatëve sirianë nga ana e vendeve kryesore të BE-së. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëveshjes midis BE-së dhe Turqisë lidhur me menaxhimin e fluksit të emigracionit dhe ndikimit të saj në rigjallërimin e marrëdhënieve midis palëve.
Përfaqësuesja e Institutit Adriapol Znj. Hygerta Prozllomi u ndal tek situata e refugjatëve sirian në Shqipëri. Znj. Prozllomi prezantoi arritjet e projektit ForWork të zhvilluar nga ky institut, projekt ky që ka në fokusin e tij trajtimin dhe mbështetjen e refugjatëve sirianë në Shqipëri që prej 3 vjetësh.
Aktiviteti përfundoi me diskutime të shumta të pjesëmarrësve, ku zgjuan interes të veçantë vlerësimet dhe opinionet e Përgjegjësit të Departamentit të Drejtësisë Prof. As. Bajram Yzeiraj, Drejtorit të Institutit AIPA Z. Gilbert Galanxhi, pedagoges së të drejtës ndërkombëtare Dr. Elona Bano etj.
