Në datë 27 qershor 2006, universiteti "Barleti" organizoi në ambientet e tij një takim në të cilin morrën pjesë pedagogë e bashkëpunëtorë të universitetit, politikbërës e sipërmarrës, prindër dhe studentë që sapo kanë mbaruar vitin e parë.
Me filozofinë e krijimit dhe konsolidimit të universiteteve që projektojnë cilësi dhe jetëgjatësi, qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i bordit të universitetit "Barleti". I përbërë nga njerëz me kontribute të spikatura në fushën akademike, dhe ekspertë në fushën e drejtësisë, ekonomisë, sociologjisë e politologjisë, ky bord do të orientojë politikat e përgjithshme të organizimit, administrimit dhe zhvillimit të universitetit.
Gjatë këtij takimi rektori i universitetit "Barleti", z. Nikolla Dhamo bëri një prezantim të shkurtër të universitetit, mundësitë që ai ofron për studentët tanë, dhe nevojën e drejtimit të këtyre institucioneve nga borde profesionale. Më pas, z. Rexhep Mejdani, në emër të bordit të universitetit "Barleti" foli për ndryshimet që po pëson arsimi i lartë ne Shqipëri, duke u ndalur tek roli dhe funksionet e organeve të tyre qeverisëse.
