Më datë 31 Maj 2013 në të dy kampuset e universitetit “Barleti”, u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare, me temë “Participatory Democracy: Challenges to EU Integration”, bashkëpunim i Departamentit të Qeverisjes, Politikës dhe Komunikimit, të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Institutit Shqiptar për Çështjet Publike ( AIPA).
75 studiues, të ardhur nga institucione akademike, shkencore, të Administratës Publike dhe nismës së lirë, por edhe nga vende të ndryshme të rajonit, sollën ide dhe studime konkrete mbi fushat kryesore të studimit të konferencës, siç ishin: “Qeverisja e mirë dhe Shoqëria, “Politikëbërja dhe Qeverisja”, “Shqipëria, Rajoni dhe Integrimi Evropian” si edhe “Media e lirë dhe Komunikimi”. Ata ballafaquan idetë dhe gjetjet shkencore të grupuara në panele sipas fushave respektive të studimit.
Konferenca u konsiderua si pjesë e integruar e punës së vazhdueshme, studimore e kërkimore të strategjisë së universitetit “Barleti” në veçanti, ku dijet e fituara në auditore, gjetjet studimore e kërkimore të konferencave të tilla, ofrohen për zhvillimet aktuale e perspektive të vendit dhe rajonit, për modele të qëndrueshme të qeverisjes, sistemeve politike e partiake, etj.
Punimet e Seancës Plenare të Konferencës u ndoqën nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, si ish Presidenti i Republikës Z. Alfred Moisiu, ndërsa prezantuan titullarë të fondacioneve ndërkombëtare dhe kontribues në çështjet e demokracisë politike në vend dhe rajon, si Drejtori për Shqipërinë i Fondacionit“ Friedrich Ebert Stiftung” Z. Frank Hantke si edhe politologu i njohur Z. Afrim Krasniqi.
Znj. Zamira Çavo, Kryetare e Komitetit Shkencor të Konferencës dhe Drejtuese e Departamentit të Qeverisjes, Politikës dhe Komunikimit, në prezantimin e saj “Mundësitë e Demokracisë në Vendet e Pazhvilluara: Rasti i Shqipërisë”, analizoi dhe argumentoi ndërvarësinë e shkallës së demokracisë dhe nivelit të zhvillimit dhe varfërisë së shoqërisë. Ajo i mëshoi domosdoshmërisë së demokracisë pjesëmarrëse, si një domosdoshmëri për përsosjen e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ide të tjera shkencore që u përcollën nëpërmjet konferencës, trajtuan një nga çështjet tejet të prekshme për vendin dhe rajonin: deficitin e demokracisë politike dhe qeverisëse, si edhe raportin e shoqërisë me institucionet që përfaqësojnë dhe administrojnë vullnetin e saj.
E thënë ndryshe, raportin e shoqërisë me institucionet politike dhe qeverisëse, shkaktare të realitetit që përjetojmë pas viteve 1990. Konferenca përcolli si ide dhe sfidë kryesore, instrumentin për ta përsosur demokracinë politike e qeverisëse: pjesëmarrjen e shoqërisë në vendimmarrjet që ndërtojnë të ardhmen e saj.
Në përfundim të konferencës, Z. Reis Mulita, Koordinator i saj, midis të tjerash evidentoi vlerësimet pozitive të pjesëmarrësve të konferencës, të cilët e konsideruan veprimtarinë me shumë vlerë, jo vetëm për tematikën që trajtoi, por edhe organizmin e mirë dhe mundësitë që krijoi për të shtuar e forcuar bashkëpunimet dhe rrjetin e studiuesve dhe kërkuesve në vend dhe rajon.