Lektoriumi Akademik, kumtoi Prof. Luan Omari, Akademik
Në kuadrin e veprimtarive kërkimore shkencore, në Universitetin “Barleti’, në datën 28 Maj 2013, filloi nje aktivitet i ri, i titulluar “Lektorium në UB”. Qëllimi i Lektoriumit është shkëmbimi i ideve në kërkimin shkencor, nxitja e mëtejshme e punës kërkimore dhe kualifikimi i vazhdueshëm i personelit akademik.
Sesioni i parë inagural i Lektoriumit u hap me Kumtesën e Prof. Luan Omarit, Akademik, me temë "Islami në Ballkan gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore". Në këtë veprimtari ishin të pranishëm pjestarë të personelit akademik të UB-së, pedagogë të jashtëm të tij, bashkëpunëtorë dhe të interesuar nga institucione të ndryshme arsimore, kërkimore dhe ata të administratës publike, e po ashtu edhe studentë të UB-së.
Në hyrje të kumtesës parashtroheshin kushtet dhe mënyra e përhapjes së islamit në ballkan, duke dhënë shpjegime, ndërmjet të tjerave, përse Bosnja dhe Shqipëria ishin vende ku kjo përhapje ishte më madhe. Arësyet e përhapjes në Bosnje lidheshin edhe me ndikimin e herezisë bogomile, e cila përmbante një kritikë liberale ndaj zbatimit të dogmave të njohura të krishtërimit. Në Shqipëri kjo herezi njihej por ushtroi një ndikim relativisht të vogël. Ndërsa shkaqet për përhapjen e islamizmit në Shqipëri ishin më tepër ekonomike dhe sociale, duke u lidhur specifikisht me përftimin nga mospagimi i taksave. Megjithatë në Shqipëri islamizmi nuk u përhap menjëherë, që me fillimet e pushtimit otoman, ndërsa ritmet e përhapjes në Bosnje ishin më të shpejta.
Në kumtesë u analizuan raportet që pati komuniteti musliman (në veçanti udhëheqësit e tij) me pushtuesit fashistë dhe nazistë, duke përmendur njëkohësisht edhe përkrahjen aktive që ky komunitet në tërësi, duke përfshirë edhe disa personalitete të spikatura të tij, i dhanë luftës nacionalclirimtare.
Gjithashtu, u trajtua edhe një analizë e qëndrimit të shtetit komunist të pasluftes së dytë botërore ndaj fesë në përgjithësi dhe komuniteteve të ndryshme fetare, duke vënë në dukje dallimet midis dy fazave të politikës komuniste ndaj fesë: faza e parë, që përfshin vitet 1945 deri në 1967 dhe faza e dytë, që shtrihet nga viti 1967 deri në përmbysjen e sistemit komunist.
Gjithashtu, në pjesën e fundit të kumtesës analizohen gjendja e sotme e besimit islam në disa vende ballkanike si Shqipëria, Bosnje Hercegovina dhe Bullgaria, duke analizuar edhe të dhënat e ndryshme statistikore mbi raportin numerik midis ithtareve të besimeve të ndryshme fetare, veçanërisht në Shqipëri.
Aktiviteti u ndoq me vëmendje dhe përgjatë tij u bënë pyetje dhe diskutime nga të pranishmit. Lektoriumi në Universitetin “Barleti” do të vazhdojë me kumtesa dhe leksione të tjera.
