Ditën e hënë, dt. 27.05.2013, Instituti Shqiptar për Çështje Shqiptare (AIPA) në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë dhe Financës, të universitetit “Barleti” organizuan leksionin e hapur me temë “Demografia e Shqipërisë dhe ndryshimet e fundit”. Leksioni u mbajt nga z. François Begeot, shef i seksionit të Reformave Ekonomike dhe Infrastrukturës pranë delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Në prezantimin e tij, z. Begeot foli për mënyrat e matjes së popullsisë dhe ndryshimet e fundit në popullsinë e Shqipërisë, si dhe shpjegoi paradigmat që lidhen me këto ndryshime. Gjithashtu, duke theksuar rëndësinë e censusit si një instrument thelbësor në fushën e demografisë, z. Begeot tregoi ndryshimet në popullsinë e Shqipërisë gjatë një periudhe afatgjatë, 1923 - 2011, dhe u ndal veçanërisht te ndryshimet e viteve të fundit. Ai foli edhe për disa elemente të rëndësishëm të një censusi, si psh. mënyra se si përkufizohet një familje, si llogariten si pjesë e popullsisë totale personat që nuk dëshirojnë të marrin pjesë në census, etj.
Z. Begeot filloi me dy vrojtime të rëndësishme: në Shqipëri popullsia ka rënë me 3.6% nga viti 1989-2001 dhe me 8% nga viti 2001-2011. Ndryshimet dhe gjetjet e fundit tregojnë një rritje të lehtë të numrit të familjeve, por rënie të numrit të anëtarëve të një familjeje, një rritje të banesave, një rritje të vjetërsisë së popullsisë dhe një rënie të lindshmërisë. Vjetërsia e popullsisë, një problem i pranishëm tashmë në Bashkimin Europian, do të sjellë vështirësi për një vend si Shqipëria, që është mësuar me popullatë të re. Vërehet një tendencë në rritje e përdorimit të abortit selektiv, që është edhe një nga arsyet pse në Shqipëri sot ka një numër më të madh meshkujsh në raport me femrat. Të gjitha këto janë pasqyrë e mënyrës së jetesës.
Z. Begeot theksoi si pozitiv faktin që popullsia në banesat kolektive është e ulët duke qenë se të moshuarit jetojnë me fëmijët ose gëzojnë kujdesin e fëmijëve të tyre. Studimet mbi modelet dominante të familjes së sotme dhe mbi tendencat drejt bashkëjetesës në vend të martesës po vazhdojnë akoma. Modeli dominant, sipas z. Begeot, vazhdon të jetë familja klasike - dy prindër dhe dy fëmijë - por po vërehen edhe familjet e vetme, pa fëmijë, ose familjet me një prind dhe një fëmijë. Këto modele dhe tendenca mbeten akoma për tu studjuar më tej.
Leksioni zgjati rreth 2 orë ku morën pjesë studentë dhe pedagogë. Z. Begeot përfundoi duke vlerësuar përputhjen e censusit të 2011 me standardet ndërkombëtare dhe nënvizoi dy faktorë kryesorë si shkaqe të ndryshimeve të fundit në popullsinë e Shqipërisë: rënia e lindshmërisë dhe emigracioni. Duke patur parasysh aktualitetin e temës, gjatë leksionit u bënë shumë pyetje, si dhe pati debate dhe diksutime të gjera. AIPA dhe Fakulteti i Ekonomisë dhe Financës falënderojnë pjesëmarrësit dhe ju mirëpresin të gjithëve në takimet e ardhshme.
