Ditën e Martë, datë 14 Maj, një grup pedagogësh dhe studentësh të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Barleti organizuan një vizitë studimore në ambientet e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Në këtë vizitë pedagogët dhe studentët e UB-së u pritën nga ambasadori i Bashkimin Evropian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi dhe stafi i tij.
Ambasadori Sequi vlerësoi iniciativën e pedagogëve dhe studentëve për të vizituar dhe parë nga afër institucionin dhe punën e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, pasi është në filozofinë e vet Komisionit Evropian për të qenë një institucion i hapur dhe transparent ndaj qytetarëve. Ambasadori Sequi theksoi faktin se bashkëpunimi i ngushtë me universitetet është primar dhe i rëndësishëm pasi studentët janë pjesa më vitale e një shoqëri, ata janë jo vetëm qytetarët e të tashmes por dhe liderët e të ardhmes.
Ambasadori Sequi bëri një prezantim të Bashkimin Evropian si një bashkësi vlerash dhe principesh i cili synon në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të vet dhe më gjerë, duke siguruar standarde të larta. Z. Sequi theksoi rëndësinë që procesi i integrimit ka për Shqipërinë, si dhe rolin kyç që duhet të luajnë akademikët dhe studentët, në përgjithësi shoqëria civile, në promovimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimit. Shqipëria gjeografikisht është pjesë dhe i përket Evropës, por anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, më shumë se shtrirja gjeografike, ka të bëjë me vlerat, rregullat dhe standardet konkrete që duhen arritur. Për arritjen e këtyre standardeve Evropian nuk kërkohet vetëm vullneti politik, por edhe kontributi qytetar. Opinioni publik shqiptar është dhe ka qenë gjithnjë një mbështetës i proceseve integruese Evropiane, prandaj dhe shoqëria civile si aktor i rëndësishëm në proceset e demokratizimit të vendit duhet të angazhohet më tepër duke promovuar dhe drejtuar politikën shqiptare drejt arritjes së standardeve. Transformim rrënjësor i shoqërisë si dhe sigurimi i standardeve për qytetarët janë disa nga arsyet themelore pse Shqipëria duhet të jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Pedagogët dhe studentët e Universitetit Barleti më pas u njohën me seksionet e ndryshme të delegacionit të Bashkimit Evropian. Z. Clive Rumbold, shef i seksionit politik dhe ekonomik pranë delegacionit, bëri një prezantim informues rreth sektorëve dhe punës së secilit prej ekipeve. Takimi vazhdoi me vizitën në sektorët e ndryshëm të delegacionit, në seksionin politik dhe ekonomik, në seksionin e kontratave dhe financave, në seksionin e operacioneve dhe atë të informimit dhe komunikimit, ku ekspertët e seksioneve përkatëse treguan në mënyrë të hollësishme detaje nga puna e tyre e përditshme. Me interes për studentet ishte edhe prezantimi i dy studenteve stazhiereve pranë delegacionit, si dhe mundësitë e studentëve për tu angazhuar në projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian. Në përfundim të vizitës student dhe pedagogë u pritën në zyrën e Ambasadorit Sequi nga ku u bënë edhe fotografit e rastit.
Pedagogë dhe Studentët e Universitetit Barleti, falënderojnë përzemërsisht Ambasadorin e delegacionit të Bashkimit Evropian Z. Sequi dhe gjithë stafin e tij për pritjen shumë miqësore dhe tepër informuese. Dhe shprehin gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme në kuadër të promovimit të vlerave dhe ideve Evropiane, si dhe organizimin e konferencave dhe leksioneve të hapura në lidhje me çështje të integrimit Evropian.
