Universiteti Barleti në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Barit organizuan ditën e shtunë, datë 18 maj 2013, ora 10.00, në sallën A24 të Kampusit Nr.1, një konferencë mbi arkitekturën me temë:
"Rigjenerim i qytetit mesdhetar"
Leximi dhe analizimi i sfidave të qytetit bashkëkohor përmes modelit të konsoliduar të qytetit mesdhetar. Përgjigjet e akademikëve dhe profesionistëve italianë mbi rigjenerimin dhe projektimin urban.
Referuesit italianë, pedagogë të Departamentit të Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës (DICAR) të Universitetit Politeknik të Barit, u prezantuan nga Ark. - Inxh. Spartak Bagllamaja (UB), i cili moderoi konferencën.
Të pranishëm në sallë, përveç akademikeve dhe profesionisteve të fushës së arkitekturës dhe inxhinierisë, ishin Administratorja e Deleguar e Universitetit Barleti, znj. Adriana Berberi, Rektori i Universitetit Barleti, Prof. Dr. Marenglen Spiro dhe përfaqësues të tjerë të Universitetit Barleti.
Pas fjalës përshëndetëse dhe prezantimit të Ark. - Inxh. Spartak Bagllamaja, u hap konferenca dhe fjala ju dha Prof. Anna Bruna Menghini, Prof. e Asociuar në lëndën Kompozimi Arkitektonik dhe Urban dhe Koordinatore e Marrëdhënieve me Jashtë në Departamentin e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës (DICAR) të Universitetit Politeknik të Barit. Gjatë fjalës së saj Prof. Menghini ilustroi identitetin e Departamentit të Barit, profilet akademike dhe bashkëpunimin afat gjatë të Universiteti Politeknik me Shqipërinë. Ky bashkëpunim është konkretizuar në vite, me një sërë tezash diplome dhe doktorature mbi arkitekturën moderne shqiptare, projektuar nga arkitektetë italianë gjatë viteve ’20-’40 dhe mbi arkitekturën tradicionale shqiptare dhe restaurimin e saj.
Michele Beccu, Prof. i Asociuar në lëndën Kompozimi Arkitektonik dhe Urban në Departamentin e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës (DICAR) të Barit por dhe profesionist i njohur në Itali, prezantoi projektet e realizuara me studion e tij profesionale A.B.D.R., si stacioni i trenit Tiburtina në Romë, stacione të metrosë të linjës “B” në Romë dhe Auditori i Ri në Firence.
Konferenca vazhdoi me prezantimin e Prof. Francesca Calace, Hulumtuese Universitare në lëndën e Urbanistikes në Departamentin e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës (DICAR) të Barit, por dhe konsulente e Bashkisë së Barit dhe Rajonit të Puglia-s. Prof. Calace prezantoi eksperiencën e rigjenerimit urban në Puglia, si dhe menaxhimit dhe koordinimit administrativ të potencialit privat.
Konferenca përfundoi me referimin e Prof. Giacomo Martines, Hulumtues Universitar në lëndën e Restaurimit në Departamentin e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës (DICAR) të Barit. Prezantimi i tij fokusohej mbi temën e restaurimit dhe konservimit të arkitekturave moderne, nga konsolidimi struktural i teknologjive tradicionale deri te ndikim mjedisor i tyre.
Në fund Prof. Menghini, Beccu, Calace dhe Martines falenderuan Universitetin Barleti për pritjen dhe shprehën interes për një bashkëpunim të mëtejshëm.
