Në vijim të axhendës së aktiviteteve parashikuar në projektin TEMPUS-Heart “Të vëmë të drejtat e njeriut në zemër të arsimit të lartë”, më 25 prill 2013 Universitetin “Barleti” e vizitoi Dekani i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Prof. Bujar Dugolli dhe zëvendës dekani i këtij fakulteti, Prof. ass. Dashamir Bërxuli.
Akademikët nga Kosova u pritën nga Rektori i Universitetit, Prof. Marenglen Spiro dhe Administratorja e Deleguar në UB, zonja Adriana Berberi.
Më tej ata zhvilluan takime dhe biseda pune me drejtues dhe pedagogë të universitetit “Barleti” si dhe me anëtarë të Bordit të krijuar për zbatimin e projektit, i cili ka hyrë në vitin e dytë të zbatimit të tij.
Bisedimet u fokusuan në vlerësimin e ecurisë së deritanishme të projektit dhe impaktit të tij si dhe në planifikimin e aktiviteteve për shkëmbim përvoje mes stafeve akademike dhe të vizitave të ndërsjella të grupeve të studentëve; në vlerësimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm për të tjera projekte, studime, botime, konferenca të përbashkëta etj.
Ndër të tjera çështje me interes, u konsiderua përparësi, hartimi dhe hapja e një programi të përbashkët studimi pasuniversitar në fushën e të drejtave të njeriut, me synim për ta shndërruar atë në një projekt rajonal. Ky propozim do të konkretizohet më tej në takimin e tretë të koordinatorëve të projektit nga i gjithë rajoni, i cili do të zhvillohet në Sarajevë nga data 10 deri 14 maj 2013.
