Pas trajnimit në dt 20 mars 2013 me temë “Njohja me ligjin nr. 10221, datë 4.2.2010, ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’ dhe mjetet ligjore që ky ligj ofron”, organizuar nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ku morën pjesë 11 studentë nga Fakulteti i Drejtësisë së universitetit “Barleti”, u hap një konkurs me ese. Tema e konkursit ishte: “Esetë më të suksesshme për zbatimin e legjislacionit kundër diskriminimit”.
Nga universiteti ynë morën pjesë studentet Zela Bilalaj dhe Majlinda Myftaraj nga viti i IV si dhe Irisa Ogreni nga viti i dytë drejtësi. Ndër 20 esetë që u kualifikuan në këtë konkurs, juria e përbërë nga Prof. Dr Arta Mandro, Prof. Asoc. Eralda Met’hasani dhe Prof.Dr. Aurela Anasatasi, eseja e pregatitur nga studentja Zela Bilalaj u vlerësua me çmimin e tretë. Me shumë pozitivitet u vlerësuan edhe esetë e përgatitura nga dy studentet e tjera.
Gjejmë rastin të falënderojmë Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare për mundësinë që i dha studentëve të universitetit tonë në këtë organizim, i cili jo vetëm rriti vlerat akademike të studentëve tanë, por edhe ju dha mundësinë që të konkurronin mes studentëve më të mirë të fakulteteve të drejtësisë të Universitetit të Tiranës, universitetit “Barleti”, Universitetit Justiniani I-rë dhe Universitetit “Albania University”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u bë në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në një ditë të shënuar që përket edhe me 100 vjetorin e Ditës së Drejtësisë. Ky aktivitet dhe studentët u përshëndetën nga Dekani i Fakultetit të Drejtësisë - Universiteti i Tiranës, Phd.Altin Shegani si dhe nga Angjelina Pistoli përfaqësuese e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
I urojmë Zelës sa më shumë suksese dhe e falënderojmë që edhe një herë tregoi se Universiteti Barleti përgatit studentë cilësorë dhe kompetitivë të denjë që mbajnë emrin Barletas.
