Instituti Shqiptar për Ҫështjet Publike (AIPA) në Universitetin “Barleti”, në bashkëpunim me Departamentin “Qeverisje, Politika dhe Komunikim”, organizuan në datë 3 prill, një leksion të hapur me temë “ Bipolarizmi dhe Poli i Trete”, ku i ftuar ishte z. Bamir Topi.
Ky leksion i hapur dhe të tjerë që do të pasojnë organizohen në vazhdën e ciklit të leksioneve të hapura “Bashkëbisedim me Personalitete” në të cilën ftohen të referojnë personalitete të shquar të jetës institucionale, publike dhe shoqërore, të Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë.
Në fillim të këtij leksioni dhe pas fjalës përshëndetëse të organizatorëve, z. Topi vlerësoi rolin e universitetit “Barleti” si një aktor aktiv dhe me potencial akademik e intelektual në arsimin e lartë në Shqipëri.
Më pas diskutimi vazhdoi me një ekspoze të zhvillimeve më të fundit politike në vend duke e cilësuar këtë të fundit si një “terren sizmik me lëkundje të forta”, me të cilat shoqëria shqiptare nuk është e përgatitur ende për t’i bërë ballë. Ai e cilësoi demokracinë shqiptare si të brishtë ende, ku bipolarizmi i prodhuar nga dy forcat politike ka prodhuar dobësim të institucioneve shtetërore, ku pushteti është vendosur në shërbim të politikës dhe ku ka një mungesë të theksuar morali në politikë.
Duke qënë se bipolarizmi në Shqipëri funksionon vetëm në mënyrë artificiale, në letër madje edhe nga vetë institucionet, z. Topi e vuri theksin mbi rëndësinë e ekzistencës së një poli të tretë në politikën shqiptare.
Prandaj shoqëria shqiptare sot duhet të kërkojë më çdo kusht respektimin e institucionit të zgjedhjeve, si një nga kushtet themelore të demokracisë dhe t’i detyrojë të gjitha institucionet të vihen në shërbim të shoqërisë dhe individëve. Modeli më i mirë që duhet ndjekur është ai pluralist i cili prodhon rotacion elitash dhe për këtë është e nevojshme ekzistenca e polit të tretë apo të qendrës.
Ky pol do t’i hapë rrugë jo rrotacionit të karrigeve, as premisës që ndonjë pushtetar të shndërrohet në monark por amortizimit të politikës shqiptare dhe ajo që është më e rëndësishme do të depolitizojë institucionin e presidentit.
Në përfundim të leksionit z. Topi iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, të cilat shprehën edhe njëherë rezervat për politikën, dyshimet për koalicionet para apo pas zgjedhore dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve.
