Në 20 mars 2013, u zhvillua seanca e fundit e trajnimit “Njohuri të domosdoshme për përkatësinë gjinore”. Ky trajnim u realizua për 6 javë rradhazi, çdo të mërkurë, me studentë të universitetit “Barleti”, të programeve të ndryshme, si Ekonomi & Financë, Shkenca Politike, Drejtësi, Psikologji dhe Sociologji. Vetë studentët ishin iniciatorët dhe nxitësit e këtij trajnimi, që u realizua nga Akademia Gender Plus pranë Institutit Shqiptar për Çështjet Publike (AIPA). Ky projekt u mbështet financiarisht nga vetë Universiteti.
Në këtë javë të fundit e ftuar ishte Dr. Eglantina Gjermeni, deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Dr. Gjermeni ndau me studentët informacione lidhur me statusin e gruas në vendimmarrje, problematika të kuotës gjinore dhe vështirësitë e aplikimit të saj në këtë fazë të zhvillimeve politike.
Studentët shkëmbyen opinione dhe treguan interes të veçantë për përvojën konkrete të Znj. Gjermeni në periudhën 4 vjeçare të aktivizimit të saj në politikë.
Në përfundim, studentët bënë vlerësimet e tyre për mënyrën e zhvillimit dhe përmbajtjen e trajnimit. Ata u shprehën të kënaqur për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet. Vlerësuan faktin që interesi i tyre i shprehur spontanisht në një orë leksioni për përkatësinë gjinore, në lëndën e Sociologjisë, u trajtua me shumë seriozitet nga Universiteti. Një pjesë e tyre thanë se tashmë ndiheshin më të sigurt për të artikuluar çështje të lidhura me barazinë gjinore, disa të tjerë se verifikuan dijet e tyre dhe i shtuan ato. Të tjerë vlerësuan jo vetëm informacionin e ri, por edhe cilësinë e trajnerëve si dhe mundësinë për të zhvilluar së bashku biseda dhe ide jashtë auditorit.
Në ceremoni ishin të ftuar dhe trajneret e seancave të mëparshme, eksperte të njohura të çështjeve gjinore, Znj. Lavdie Ruci, Znj. Etleva Bisha, Znj. Elida Meta, Znj. Sonila Danaj dhe Znj. Migena Kapllanaj. E ftuar ishte edhe koordinatorja kombëtare e programit të UN Women në Shqipëri, Znj. Estela Bulku. Znj. Bulku u prezantoi studentëve drejtimet e veprimtarisë së organizatës së mirënjohur tashmë UN Women edhe në Shqipëri, gjithashtu i ftoi studentet dhe studentët pjesëmarrës të vizitojnë mjediset e UN Women, të njohin dhe të shfrytëzojnë materiale studimore të kësaj organizate si burime cilësore për detyra të ndryshme akademike dhe sociale.
Aktiviteti u mbyll me ceremoninë e dhënies së certifikatave për pjesëmarrësit nga drejtuesit e AIPA-s, dhe Akademisë Gender Plus, Dr. Dorian Jano dhe Dr. Saemira Pino.
AIPA dhe Akademia Gender Plus synojnë të ofrojnë në të ardhmen e afërt një trajnim të dytë me njohuri më të thelluara, dhe jo vetëm me studentë, por edhe me të tjerë të interesuar për të zgjeruar dijet e tyre në çështjet e përkatësisë gjinore dhe për t’i aplikuar ato në jetën e përditshme me qëllim zvoglimin e hendekut gjinor.
Ky aktivitet dhe mjaft aktivitete të tjera që janë zhvilluar dhe planifikuar të zhvillohen në mjediset e UB, me studentë, nxënës të shkollave të mesme, organizata jofitimprurëse, qytetarë të interesuar dhe aktivë, i shërbejnë në mënyrë specifike krijimit dhe forcimit të një atmosfere miqësore për njohjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave. UB prej më shumë se një vit është pjesë e projektit të rëndësishëm rajonal HEART-TEMPUS “Për të vënë në zemër të arsimit të lartë edukimin për të drejtat e njeriut” që synon jo vetëm përmirësimin e programeve akademike, por edhe veprimtari konkrete në funksion të këtij qëllimi.
