Një ndër bashkëpunimet e frytshme të Fakultetit të Drejtësisë me Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare u kurorëzua me trajnimin që kjo qendër organizoi me temë “Njohja me ligjin nr. 10221, datë 4.2.2010, ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’ dhe mjetet ligjore që ky ligj ofron për mbrojtje”. Ky aktivitet organizuar ditën e mërkurë dt 20 mars 2013, nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, ishte në kuadrin e aktiviteteve për zbatimib e projektit “Zbatimi i ligjit ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’”, me mbështetjen e Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci, të Ambasadës së SH.B.A -ës në Tiranë.
Nga universiteti “Barleti” morën pjesë 11 studentë nga vitet e dyta, të treta dhe të katërta. Studentëve ju dha mundësia të shohin nga afër punën e Komisionerit për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, po ashtu dhe u njohën thellësisht nga specialistë të fushës me mjetet mbrojtëse si dhe rastet më flagrante të diskriminimit që takohen në shoqërinë shqiptare.
Në vazhdimësi të këtij trajnimi Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ka ftuar studentët që të marrin pjesë në konkursin “ Esetë më të suksesshme për zbatimin e legjislacionit kundër diskriminimit” ku përveç çmimeve që do të ofrohen, punimet më të mira do të publikohen në faqen e internetit të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare.
S’na mbetet gjë tjetër veçse t’ju urojmë suksese studentëve tanë në këtë konkurs si dhe të shpresojmë në bashkëpunime të tjera akoma edhe më të suksesshme.
