Në kuadrin e studimeve doktorale të ofruara nga Universiteti Clemson në bashkëpunim me Universitetin Barleti, gjatë muajit shkurt ishte në Tiranë Dr. Mark Small, koordinator i programit Studime Ndërkombëtare për Familjen dhe Komunitetin.
Gjatë vizitës së tij Dr. Small realizoi takime individuale me studentët për të diskutuar çështje që lidheshin me zhvillimin e mësimit dhe të tjera të lidhura me programin. 12 studentë nga Shqipëria dhe Kosova janë bërë pjesë e këtij programi doktoral.
Në datë 28 Shkurt Dr. Small zhvilloi mësimin duke mbledhur së bashku në klasë studentët shqiptarë dhe online studentët në Universiteti Clemson. Lidhja u realizua nëpërmjet programit Adobe Conect, një sistem që përdoret për mësimim në distancë nga Universiteti Clemson. Ky organizim bëri të mundur që në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën orë mësimi të diskutonin së bashku për transformimin e komunitetit doktorantë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të ndryshme të SHBA-ve.
Programi i doktoratës ju mundëson studentëve tanë jo vetëm të përfitojnë nga ekspertiza e profesorëve të Universitetit Clemson, nga kurrikulat dhe materialet që përdoren prej tyre, nga burimet informative të kohëve të fundit, por njëkohësisht të kenë shansin që të njihen dhe ndajnë eksperiencë me studentë që vijnë nga e gjithë bota; ndërkohë që vazhdojnë jetën dhe zhvilimin e tyre profesional në vendin ku jetojnë.
