Në 8 mars 2013, në mjediset e Universitetit Barleti, gra të njohura në fushën e biznesit , anëtare të Komitetit të grave në biznes të Dhomës Amerikane të Tregtisë (WoBAC) u mblodhën në një mëngjes pune.
I ftuar në takim ishte z. Les Nemethy, ekspert i njohur për këshillim në çështjet e biznesit dhe autori i librit “”ÇLIRIMI I VLERëS - Çelësi për një dalje të suksesshme nga biznesi” të sjellë në shqip kohët e fundit nga Shtëpia Botuese “Dudaj”.
U zhvillua një bashkëbisedim me interes për aspekte të ndryshme të mbarëvajtjes ose jo të biznesit në terrenin shqiptar . Zonjat pjesëmarrëse sollën përvojat e tyre, vështirësitë që ndeshin në menaxhimin e bizneseve, por evidentuan edhe faktorët që u kanë sjellë sukses. Eksperti nga Kanadaja solli një sërë shembujsh nga zhvillimet ndërkombëtare dhe trajtoi veçanërisht disa nga çështjet që janë ende të reja për zhvillimet në Shqipëri, lidhur me mbylljen apo daljen nga biznesi.
Në emër të Komitetit të grave në biznes Flutura Veipi, aktualisht Drejtore Ekzekutive e Procredit Bank falenderoi z. Nemethy për bisedën si dhe për librin. Ajo vuri në dukje gjuhën e thjeshtë të trajtimit të problemeve të tilla komplekse siç janë ato të shkrirjes, bashkimit, privatizimit, daljes nga biznesi në përgjithësi dhe rëndësinë që ka marrja e vendimeve në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.
Në mbyllje të këtij takimi miqësor , Zonja Adriana Berberi, Administratore e Deleguar e Universitetit Barleti, uroi përzemërsisht koleget e ftuara, për ditën e 8 Marsit. Ajo nënvizoi nevojën për të nxitur dhe mbështetur gratë në biznes , gjë që duhet ta bëjnë të gjithë aktorët dhe faktorët së bashku. Në funksion të këtij qëllimi ajo ofroi edhe mbështetjen nga Akademia Gender plus, institucion kërkimor i krijuar pranë UB që synon fuqizimin e gruas.
