Në 2 mars 2013 në auditoret e UB, studentët dhe pedagogët bashkëbiseduan me filozofin gjerman Richard David Precht. Takimi u organizua në kuadrin e vizitës dyditore të tij në Shqipëri me ftesë të Shtëpisë Botuese Dudaj, e cila këto ditë nxorri nga shtypi librin e mirënjohur të autorit “Kush jam unë dhe nëse Po sa shumë. Një rrugëtim filozofik”. Libri është sjellë mjaft bukur në shqip nga përkthyesja Rezarta Reimann - Meço.
Znj. Arlinda Dudaj, drejtuese e Shtëpisë Botuese, në fjalën e saj të hapjes theksoi se Richard David Precht është një shkrimtar, eseist, gazetar dhe filozof i njohur në Gjermani. Librat e tij janë kryesisht të karakterit filozofik dhe ashtu si emisionet dhe rubrikat e tij në median televizive dhe të shkruar, kanë një audiencë shumë të madhe. Libri është një vlerë e shtuar për lexuesit shqiptarë. Megjithëse filozofik ai u drejtohet jo vetëm elitave.
Richard David Precht, vinte për herë të parë Shqipëri, pas një tentative të pasuksesshme për ta vizituar atë në verën e 1985, kur fare i ri kish kureshtjen të shihte një vend komunist, siç njihej në Perëndim. Por politika absurde e kohës nuk e lejoi të hynte. Gjatë bisedës ai e përcolli këtë mbresë të tijën mbi Shqipërinë dhe kontaktet e para me të.
R.Precht, thjesht dhe kuptueshëm, cilësi dalluese të komunikimit të tij filozofik, ju përgjigj pyetjeve mbi unin dhe njohjen e tij nga vetë individi apo të tjerët jashtë tij, çfarë është liria dhe sa të lirë jemi në zgjedhjet tona, përse besojmë apo jo dhe si perceptohet ekzistenca e Zotit, cilat janë misteret e trurit të njeriut, cili është raporti i filozofisë me shkenca të tilla si biologjia apo fizika etj.
Dr. Saemira Pino, Dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale në mbyllje të takimit, vuri në dukje se kjo bisedë me kaq interes do mbahet mend gjatë, se interpretimi sa shkencor aq edhe i thjeshtë dhe i çliruar nga dogmat i çështjeve madhore filozofike është një model shumë i mirë për studiuesit shqiptarë që ende janë në kërkim të kohës së humbur.
Auditoret tona- shtoi ajo- kanë patur nderin dhe kënaqësinë të kenë mes tyre shumë e shumë ekspertë vendas dhe të huaj, personalitete publike, shkrimtarë e ambasadorë, por Richard David Precht bën vend mes tyre si ambasador me kredencialet e dhëna prej filozofëve, që nga më të lashtët Sokrati e Platoni, Hjum e Bentham, Niçe e Frojd, Sartër, Huserl apo Hajdeger dhe deri te Habermasi e Rawlsi, idetë e të cilëve me Përse- të që i shoqërojnë na i sjell nëpërmjet librit.
Pjesëmarrësit patën privilegjin të njihen të parët në Shqipëri me librin e Richard David Precht dhe të merrnin shumë miqësisht një autograf prej tij.
