Ditën e Martë dt.26.02.2013, Fakulteti e Ekonomisë dhe Financës dhe Instituti Shqiptar për Cështjet Publike (AIPA) me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert”, organizuan në Universitetin “Barleti” leksionin e hapur me temë “Taksa Progresive vs Taksa e Sheshtë”.
Leksioni u mbajt nga eksperti i mirënjohur ndërkombëtar në fushë, Prof. Krastyo Petkov.
Gjatë leksionit prof. Petkov shpjegoi përparësitë dhe kufizimet që këto dy sisteme fiskale kanë. Sipas prof. Petkov, taksa e sheshtë edhe pse ka shumë përparësi, nuk ka sjellë në ekonomitë e vendeve përkatëse ato rezultate që institucionet financare ndërkombëtare apo qeveritë prisinin. Prandaj, sipas tij një sistem progresiv tipik për Europën sociale por edhe për vendet e zhvilluara në përgjthësi si SHBA, Japoni etj., do ishte më i përshtatshëm. Kjo, siç vë ai në dukje, duhet të ndodhë duke patur parasysh dhe harmonizimin fiskal që vendet e BE janë angazhuar të ndërmarrin.
Një element tepër i rëndësishëm, i përmendur nga prof. Petkov, është se për zbatimin e politikave fiskale duhet një mobilizim i gjerë, diskutim dhe negocim mes ekspertëv dhe specialistëve, duke përdorur në të njëjtën kohë sindikatat, presion qytetar apo dhe mjetet politike.
Leksioni zgjati rreth 2 orë ku morën pjesë studentë, pedagogë dhe ekspertë të politikave fiskale. Duke patur parasysh aktualitetin e temës, gjatë leksionit u bënë shumë pyetje, pati debate dhe diksutime të gjera.
Fakulteti i Ekonomisë dhe Financës falenderon pjesëmarrësit dhe ju mirëpret të gjithëve në takimet e ardhshme.
