Fakulteti i Drejtësisë i universitetit “Barleti”, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Çështje Publike, pranë këtij Universiteti, në datat 13 dhe 14 Shkurt 2013, organizoi Konferencën shkencore ndërkombëtare me tematikë “Shqipëria dhe Pakicat Kombëtare, Etnike dhe Kulturore”. Në këtë konferencë morën pjesë referues shqiptarë dhe të huaj, autoritete të fushës së drejtësisë dhe fushave të tjera, përkrah lektorëve dhe ekspertëve të mirënjohur.
Konferenca u zhvillua përgjatë dy ditëve, në datat 13 dhe 14 shkurt 2013. Ditën e parë, Konferenca i zhvilloi punimet në Seancë Plenare, në Hotel “Tirana International”. Ndërsa ditën e dytë, punimet u zhvilluan në Universitetin “Barleti” (Kampusi Nr.1), në tre Seksione, ku u trajtuan, respektivisht: Regjimi juridik i pakicave kombëtare, etnike dhe kulturore në Shqipëri; Gjendja ekonomike shoqërore e pakicave në Shqipëri; dhe Komunitetet etnike shqiptare dhe ato të tjera në vendet fqinje.
Konferenca ishte dhe rezultoi si një mundësi diskutimi dhe shkëmbimi mendimesh mbi çështjen e pakicave kombëtare, dhe etnokulturore, të cilat jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe të komuniteteve shqiptare që jetojnë në vendet fqinje si rezultat i proceseve të ndryshme historike dhe politike. Përgjatë punimeve të Konferencës u bë një analizë, e shoqëruar edhe me diskutime dhe debate, jo vetëm rreth gjendjes, problemeve dhe shqetësimeve të këtyre pakicave, duke analizuar në veçanti aspektet juridike, shoqërore, ekonomike dhe politike të tyre por, së pari, edhe të koncepteve teorike në fushën e pakicave.
Pjesëmarrësit në Konferencë, ndër të tjera, falenderuan dhe përgëzuan Universitetin “Barleti” që, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, ndërmori një nismë të tillë të lavdërueshme, në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
