Më 27-29 Janar në qytetin e vogël të Forli, Itali u zhvillua takimi i parë i ECOSMeG. Takimi u zhvillua në kuadër të projektit ECOSMeG, i cili zhvillohet dhe mbështetet nga programi: "Europe for Citizens Programme - Action 4 - Decision no. 2012 - 3683 / 002 - 001”. Ky projekt ka në fokus evidentimin, studimin dhe prezantimin e vendeve memoriale të holokaustit ndaj hebrenjve si dhe viktimave të komunizmit. Ky ishte takimi i pare në nivel koordinatorësh dhe studentësh të cilët do të jenë aktorët kryesorë në zhvillimin e tij.
Projekti përfshin dy Universitete partnerë nga Ballkani Perëndimor dhe tre Universitete Italiane. Universiteti i Bolonjës, Universiteti i Terramos dhe Universiteti i Kalabrisë, janë partnerët Italianë. Universiteti i Zagrebit dhe universiteti “Barleti” janë dy Universitetet, e vetme partnere, nga Ballkani Perëndimor të cilët kanë fituar të drejtën të jenë pjesë e projektit.
Takimi nisi me Marshimin e Memories duke bërë pjesë të tij jo vetëm studentët dhe pedagogët e përfshirë në projekt, por edhe autoritetet dhe qytetarët vendas. Marshimi u udhëhoq nga Sauli Ladany, i mbijetuari i Holokaustit, duke vizituar ish burgun politik të SS-ve, jetimoren në rrugën Salirnatore, burgun Rocca, ish hotelin e Tregëtisë (kamp provizor i përqëndrimit të Hebrenjve), për të vazhduar në Parkun e Rezistencës, ku u mbajt ceremonia e rastit me autoritetet vendase. Më pas studentët dhe pedagogët e Universitetit Barleti morën pjesë në Seminarin Ndërkombëtar mbi të Përkujtuarin dhe artin e Shërbimit. Takim, qe u mbajt në sallën e këshillit komunal të qytetit të Forlisë, u diskutua mbi të “drejtët mes kombeve” gjatë kohës së Shoah dhe mbi artin e të shërbyerit në mënyrë të drejtë sot. Në takim u mbajtën dëshmi të gjalla nga të mbijetuarit e Holokaustit (C. Finzi dhe Sh. Ladany) dhe u mbajtën kumtesa nga diplomatët suedezë, kroatë, shqiptarë, izraelianë, europarlamentarë, studiues, autoritetet shtetërore vendase, përfaqësues të shoqërisë civile, ushtarakë, përfaqësues të komuniteteve fetarë, etj. Dita u mbyll me një koncert mbajtur nga ansambli “Quadrivium” i Venecias.
Punimet e seminarit ndërkombëtar vazhduan edhe ditën tjetër me një diskutim frytdhënës, inter-aktiv mbi synimet që kërkon të arrijë projekti dhe rrugën që duhet të ndiqet për përmbushjen e këtyre qëllimeve. Studentët, përmes një takimi të veçantë, pa pjesëmarrjen e pedagogëve shkëmbyen ide dhe mendime, zgjidhje mbi problematikat, synimet e tyre si dhe evidentuan dhe hodhën bazat e krijimit të një rrjeti ndër-universitar mbi vazhdimësinë dhe punën që do të bëhet në të ardhmen. Ndërkohë që koordinatorët përmes një takimi tjetër diskutuan çështjet teknike dhe problematika të tjera në lidhje me mbarëvajtjen e këtij projekti si dhe aktivitetet e tjera të cilat do të zhvillohen në kuadrin e projektit.
Detyrat e caktuara dhe idetë e hedhura tani mbeten për tu konkretizuar dhe për tu bërë të prekshme nga një publik i gjerë, sepse nëse nuk rikujtojmë, rrezikojmë të ripërsërisim fragmente të errëta të historisë njerëzore.
