Ditën e Hënë më dt.28 Janar, ora 11:00, Fakulteti i Ekonomisë dhe Financës në Universitetin Barleti, organizoi një tryezë të rrumbullakët në lidhje me hapjen e programit të ri studimor: Kontabilitet, Auditim, Taksa.
Në kushtet e një ekonomie në zhvillim siç është edhe ekonomia shqiptare është gjithnjë e nevojshme që programet mësimore që i ofrohen studentëve të jenë të përditësuara me zhvillimet më të fundit. është kjo arsyeja pse programet ekzistuese shndërrohen shumë shpejt në obsolete dhe kanë nevojë për përmirësime, përshtatje dhe ndryshime në vijimësi.
Duke patur parasysh eksperiencat e deritanishme dhe një profil të mirë përcaktuar në vite, filozofinë e Universitet tonë “studenti në qendër”, për t’iu përshatur më mirë kërkesave të studentëve, por edhe nevoja të tregut shqiptar, Fakulteti i Ekonomisë dhe Financës propozoi në tryezë hapjen e programit të ri mësimor në Kontabilitet, Auditim, Taksa.
Programet e studimit janë një nga elementët më të rëndësishëm për formimin e studentëve si kontigjentë të ardhshëm të tregut të punës. është kjo arsyeja që pikërisht diskutimi i këtyre programeve me profesionistë të fushës konsiderohet si një hap parësor nga ana jonë për suksesin dhe përshtatjen e tyre me nevojat e biznesit.
Në tryezë ishin të ftuar eskpertë profesionistë të fushave përkatëse, përfaqësues të institucioneve të rëndësishme në vend, si Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Auoriteti i Mbikqyrjes Financiare, Drejtoria e Auditimit pranë Ministrisë së Financave, përfaqësues të Drejtorisë së Tatimeve, si edhe pedagogë me eksperiencë në këto fusha.
Tryeza zgjati rreth 2 orë duke u shoqëruar nga debate e diskutime të shumta midis pjesëmarrësve, të cilat u konsideruan si shumë të vlefshme për krijimin e një program studimor me orientim ndaj studentit dhe me qëllim që ti përgatisin ata për tregun e punës me synimin e arritjes dhe mbajtjes së një norme të lartë punësimi në pozicione me influence në botën e biznesit, si dhe në administratën publike.
Fakulteti i Ekonomisë dhe Financës duke falënderuar pjesëmarrësit për dikustimet dhe idetë e tyre të vlefshme, shpreh gatishmërinë për organizimin në vijimësi të takimeve të tilla më përfaqësues të biznesit, administratës publike dhe akademikë, me synimin kryesor që të formojë një brez profesionistësh të aftë për të analizuar sfidat dhe mundesitë që hasin korporatat apo biznese të ndryshme në mjedisin global financiar.
